Ka nisur mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste ku kryeministri Edi Rama ka mbërritur herët paraditen e sotme në selinë qendrore.
Burimet thonë se kjo është një mbledhje organizative, që shqyrton dhe vlerëson procesin zgjedhor në partinë socialiste, i cili është një proces që tashmë ka nisur në gjithë vendin.
Gazetarja Esiona Konomi raporton duke iu referuar burimeve nga PS se në tryezën e mbledhjes së sotme është edhe një kërkesë, e të gjitha anëtareve gra të kryesisë së PS, që prej disa javësh kanë kërkuar që për shkak të kontributit të zonjave socialiste në politikë dhe në parti, të bëhet e detyrueshme që çdo institucion socialist të bashkë drejtohet nga një burrë dhe një grua. Pra të ketë një barazi gjinore.
Sipas gazetares Esiona Konomi, kjo mbledhje vjen pak ditë pasi Komisioni Evropian vendosë të thotë JO, Shqipërisë dhe Maqedonisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për Maqedoninë ky vendim, reflektoi duke kërkuar zgjedhje të parakohshme atje, ndërsa në Shqipëri mbetet ende për tu parë nëse do të kalojë në heshtje, apo do të ketë reflektime për përgjegjësi politike.
Gjithashtu nga burimet mësohet se pas mbleshjes do të ketë një takim në rreth të ngushtë mes Ramës, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, kreut të grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe Damian Gjiknurit ku tema do të jetë Reforma Zgjedhore. /abcnews.al