Nis kursi i Drejtorit Teknik, Roberto Samaden e Stefano Bonaccorso nga Atalanta mbajnë leksione si të ftuar nga FSHF

schedule15:13 - 5 Qershor, 2024

schedule 15:13 - 5 Qershor, 2024

Ka ngritur siparin kursi i Drejtorit Teknik që organizohet për herë të parë nga FSHF në vendin tonë. Një kurs shumë specifik që do të zgjasë 8 muaj dhe që do të krijojë brenda një rruge teknike një figurë që të mund të drejtojë trajnerët përmes një metodologjie, strategjie dhe filozofie për të ndërtuar një talent të ri.

Në seancën e parë të kursit i ftuar special nga FSHF ishte Roberto Samaden, i cili ndau eksperiencën e tij me kursantët e kursit të Drejtorit Teknik në “Shtëpinë e Futbollit”.

Samaden ka një karrierë të lavdishme, teksa është menaxher i sektorit të të rinjve të Atalantës, ndërsa për 33 vite ka punuar edhe te klubi i Interit, duke zhvilluar dhe arritur suksese me akademinë zikaltër. Gjatë një prononcimi Samaden tha që është një ide shumë e mirë të investohet në këtë kurs dhe vlerësoi vizionin e Presidentit Duka për të zhvilluar futbollin e të rinjve.

“Besoj që është një ide shumë e mirë të investohet në kursin e Drejtorit Teknik. Kam folur me Presidentin Duka kohët e fundit dhe ka një dëshirë shumë të madhe për të zhvilluar futbollin e të rinjve në Shqipëri. Mendoj që kjo është pika e fillimit për të formuar drejtues të aftë, për të zhvilluar sektorin e të rinjve dhe t’i japë mundësinë djemve dhe vajzave për t’u rritur jo vetëm jashtë Shqipërisë. Ky projekt mendoj që është një ide e shkëlqyer” – tha fillimisht Roberto Samaden, i cili zbuloi edhe temat që diskutoi në këtë leksion të parë të kursit të Drejtorit Teknik.

“Që nga viti 2019-të së bashku me Drejtorin Fulvio Pea kemi trajnuar shumë drejtorë teknik. Folëm edhe për eksperiencën bazuar në ato që kam kaluar unë si Drejtor Teknik. E kam filluar karrierën si trajner dhe më vonë si përgjegjës për të arritur këtu ku jam sot. Ndihem krenar që jam menaxher i sektorit të të rinjve të Atalantës. Duhet një punë e madhe, tregova rëndësinë që ka analizimi i pikave të rëndësishme në të cilat djemtë e vajzat duhet të ndihen mirë dhe të argëtohen kur luajnë, që në të ardhmen të bëhen lojtarë të mirë” – përfundoi Roberto Samaden.

Gjithashtu i ftuar nga FSHF për të mbajtur një leksion për kursantët e kursit të Drejtorit Teknik ishte edhe Stefano Bonaccorso, i cili punon me Roberto Samaden te klubi i Atalantës. Bonaccorso është përgjegjësi i futbolli të bazës te klubi i Atalantës dhe në leksionin e tij në “Shtëpinë e Futbollit” foli se si duhet punuar për të zhvilluar futbollin e fëmijëve. Përveç seancës teorike Bonccorso zhvilloi edhe nje seancë praktike në fushë për kursantët./h.ll/abcnews.al