Nis konsultimi publik për projektligjin e fiskalizimit

schedule14:26 - 29 Gusht, 2019

schedule 14:26 - 29 Gusht, 2019

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur konsultimet publike për projektligjin e Fiskalizimit, që parashikon futjen në përdorim të faturës elektronike për të gjitha bizneset. Ministrja Anila Denaj, siguroi bizneset se ky projektligj do t’u krijojë lehtësi dhe të do të nxisë konkurrencën e ndershme.

Nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te administrata tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri-tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Është ky qëllimi i projektligjit mbi “Faturën dhe Monitorimin e Transaksioneve”, apo thënë ndryshe projektligjin për fiskalizimin që tashmë i është nënshtruar konsultimit publik me grupet e interesit.

Sipas Ministres Anila Denaj projekt-ligji parashikon të ulë kostot për një kategori të caktuar me shërbim falas, si dhe duke ofruar një aplikacion që do të mund të shkarkohet pa pagesë.

Me miratimin e projektligjit ministria e Finacave dhe Ekonomisë pretendon të mos ketë më fshehje apo të dhëna të manipuluara, taksapagues që nuk paguajnë pjesën që u takon./ABC News Albania 24/7