Nis kampionati U16 për femra, presidenti Duka: Synojmë 4000 vajza në futboll

schedule13:59 - 26 Shkurt, 2022

schedule 13:59 - 26 Shkurt, 2022

Kampionati Kombëtar i futbollit për femra U-16 ka çelur edicionin e parë ditën e sotme. Këtë të shtunë, në Durrës u zhvillua edhe një ceremoni, ku u inaugurua hapja e këtij kampionati. I pranishëm ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili mbajti edhe një fjalim

“Është vërtetë bukur që të jesh këtu mes fëmijëve që luajnë futboll, por është akoma edhe më bukur kur këta fëmijë janë vajza. Shumë pak vite më parë ishte e paimagjinueshme që vajzat të luanin futboll, madje ishte për shumicën e opinionit shqiptar e turpshme, që vajzat të luanin futboll.

Kemi kaluar fazën e parë të “luftës” me konceptin, falë punës së shkëlqyer të administratës së Federatës së Futbollit, të trajnerëve, falë punës ë filizave të parë, siç është edhe trajnerja e Kinostudios, një nga vajzat e para që ka luajtur futboll.

Tashmë puna është edhe më e vështirë, sepse duhet që nëpërmjet promovimit, nëpërmjet komercializimit, nëpërmjet përmirësimit të kushteve, të infrastrukturës, të arrijmë që ta rrisim akoma më shumë, ta bëjmë sa më masiv futbollin e vajzave në Shqipëri”.

Në vitet e fundit, ne kemi filluar për herë të parë kampionatin e femrave para 12 vitesh, me vajza të rritura dhe tashmë kemi vazhduar me kampionate më të vogla, siç është ky për herë të parë nis sot, me nën 16 vjeçarë. Kemi vazhduar me kampionate nëpër shkolla, e kemi mbështetur shumë, e kemi financuar me baza materiale, me shpenzime operative për skuadrat, trajnimin e stafeve menaxheriale dhe teknike dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë.

Do të vazhdojmë sepse ky është një nga prioritetet tona, futbolli i fëmijëve në përgjithësi dhe futbolli i vajzave në veçanti. Dhe unë jam shumë i sigurt, që të gjithë bashkë, së bashku me stafin e FSHF-së, administratën, me stafet teknike të ekipeve do të arrijmë objektivin tonë që në vitin 2025 ne të arrijmë 4000 vajza që luajnë futboll në Shqipëri. Nuk është objektiv i lehtë, por kam shumë besim që të gjithë bashkë dhe ju që jeni këtu, do ta promovoni te shoqet tuaja që të afrohen rreth lojës tonë.

Ky është kampionati i parë U-16 në Shqipëri, me 12 ekipe dhe ju uroj shumë suksese dhe një kampionat sa më të mbarë. Futbolli nuk është vetëm garë, pa dyshim që gara e zbukuron lojën, por futbolli është një lojë e bukur dhe duhet ta shijoni, jo vetëm të rendni pas garës. Shumë suksese të gjithëve”, u shpreh Duka mes të tjerash. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!