Nis instalimi i matësve inteligjentë në Kashar e Vorë

schedule13:31 - 14 Shtator, 2019

schedule 13:31 - 14 Shtator, 2019

Projekti pilot për instalimin e matësve inteligjentë ka nisur të zbatohet edhe në zonën Kashar-Vorë. Sipas ministres Belinda Balluku këta matës bëjnë të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit si dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor dhe mujor të energjisë elektrike.

I quajnë matësa inteligjentë të energjisë elektrike dhe kanë për qëllim që t’i japin fund abuzimeve që vijnë faturuesit e abonentëve. Se si ndodh kjo e shpjegon ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku.

“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësve inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”.

Matësit inteligjentë bëjnë të mundur gjithashtu matjen e energjisë elektrike në çdo moment duke i dhënë mundësi kështu Operatorit të Shpërndarjes për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet.

“Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për ta aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”.

Aktualisht janë në fund të procesit të instalimit 3527 matësa inteligjent, ku mes tyre përfshihen 1000 subjekte private dhe rreth 20 shtetërore në zonën Kashar-Vorë. Ky model matësi i energjisë bën të mundur edhe matjen me 2 kahe, çka krijon hapësirat e nevojshme për përdoruesit që dëshirojnë të instalojnë impiante fotovoltaikë për vetëkonsum./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!