Gjyqi i shumëpritur për aksidentin tragjik të Tempit ku humbën jetën 57 persona filloi këtë të hënë mes protestave dhe grevave kundër asaj që shumë e shohin si rolin e shtetit në incident.
Përpara togave të zeza dolën 36 persona, përfshirë një shef stacioni dhe menaxherë hekurudhorë, me akuza që variojnë nga ndërprerja e trafikut që çoi në vdekje deri te vrasje nga pakujdesia.
Asnjë politikan nuk është në listën e të akuzuarve.
Lista e dëshmitarëve është gjithashtu e gjatë, më shumë se 350 persona, përfaqësuar nga 250 avokatë, do të dëshmojnë për versionin e tyre të ngjarjes, ndër të cilët të afërm të viktimave, të mbijetuar dhe punonjës të trenave.
Shumica e viktimave vdiqën në përplasje, por shtatë prej tyre humbën jetën nga plagët e marra prej flakëve që përfshinë disa prej vagonave.
Shërbimet hekurudhore janë ndalur këtë fillim jave pasi punëtorët grekë të trenave organizuan një grevë simbolike 24-orëshe.
Qindra njerëz u mblodhën jashtë gjykatës në qytetin e Larisës.
Hetimet kanë zbuluar se një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian për të instaluar sisteme sigurie u lançua në vitin 2014, por edhe në vitin 2023 kur ndodhi ngjarja ai nuk ishte implementuar plotësisht.
Të afërmit kanë akuzuar autoritetet shtetërore se janë përpjekur të fshehin provat duke shkaktuar tension edhe brenda sallës së gjyqit.
Qeveria e qendrës së djathtë, e cila mohon shkeljet, ka premtuar drejtësi dhe është zotuar për reformë të plotë hekurudhore deri në vitin 2027.
Tragjedia e Tempit është cilësuar si katastrofa më e madhe e këtij lloji në Greqi./abcnews.al


