Në Tiranë do të asfaltohet çdo rrugë. Premtimi vjen nga kryetari I bashkisë Erion Veliaj. Veliaj inspektoi segmentin “Xhon Belushi” në njësinë numër 4.
Rruga “Xhon Belushi” në njësinë numër katër në Tiranë është segmenti i radhës, i cili po asfaltohet nga bashkia.
Ajo i shërben një komuniteti prej rreth tre mijë banorësh. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj thotë se investimi do të rrisë vlerën e pronës në këtë zonë.
“Janë rreth 500 familje nga e gjithë Shqipëria, gjithsej 3 mijë banorë, që banojnë këtu dhe për të cilët rruga e vjetër ua bënte jetën malore. Ndoshta, relievin nuk e ndryshojmë dot, por rrugën e bëjmë të kalueshme, i rrisim vlerën pronës,”
Kryebashkiaku premtoi se shumë shpejt do të marrë fund koha e rrugëve me baltë.
“Qyteti ecën përpara me punë, jo me llogje, jo me sharje. Me punë edhe ditën, me punë edhe natën, dhe në qoftë se e ruajmë këtë ritëm, nga një rrugë e tillë 1 kilometër, 1 kilometër e gjysmë çdo natë, në fund të vitit bëhen 365 km, pra bëhet një buqetë e madhe, plus gjithë fushata jonë e asfaltimit që do vazhdojë, unë besoj se ky do jetë vërtetë një vit i mbarë për Tiranën. Ashtu siç po harrojmë pak nga pak shkollat me dy turne, do jetë vetëm çështje kohe sa të harrojmë edhe baltën nëpër rrugët dhe rrugicat e Tiranës”
Gjatë inspektimit të punimeve kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjitha rrugët dhe rrugicat në kryeqytet do të asfaltohen./abcnews.al/