Nipat e Kapllanajt, nën akuzë/ Dhunuan agjentët e BKH, Prokuroria e Fierit: Goditje për shkak të detyrës

schedule18:17 - 17 Prill, 2025

schedule 18:17 - 17 Prill, 2025

Dy nipat e ish kryebashkiakut demokrat Agron Kapllanaj dhe një I afërm I tij të vënë në pranga të martën pas një sherri me agjentët e BKH-së akuzohen zyrtarisht nga prokuroria e Fierit për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Goditja për shkak të detyrës” është një vepër penale që mund të ndëshkohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

Klaudio Kapllanaj, Ledjan Kapllanaj si edhe Gerald Kollçaku sipas prokurorisë së Fierit e cila po heton incidentin, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit nga ana e këtyre të fundit.Në një njoftim zyrtar, prokuroria sqaron gjithë dinamikën e ngjarjes.

“Një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe. Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga një person ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qendruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit.”

Më tej, prokuroria e Fierit sqaron se ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj Klaudio Kapllanajt, Ledjan Kapllanajt si edhe Gerald Kollçakut.

ABC News konfirmoi më herët se përplasja ka nisur pas ngritjes së dronit që agjentët e BKH-së dhe forcat operacionale përdorin si mjet pune për të grumbulluar prova në kuadër të hetimeve që kryejnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!