Nikola Jokic në historinë e NBA, barazon rekordin 50-vjeçar

schedule11:41 - 12 Janar, 2021

schedule 11:41 - 12 Janar, 2021

Nikola Jokic barazon një rekord të basketbollit amerikan, që është vendosur në vitin e largët 1961. Ylli i Denver Nuggets tani po krahasohet me legjendën Oscar Robertson

Ka nga ata që guxojnë ta krahasojnë me vetë LeBron James. Jo vetëm kaq, por sipas disa analistëve Nikola Jokic është këtë sezon edhe më i mirë sesa “Mbreti i basketbollit”, por për diçka jemi të sigurt, që Nikola Jokic është një rekordmen.

Ylli i Denver Nuggets barazoi legjendën Oscar Robertson dhe tani janë dy lojtarët e vetëm në NBA që kanë pasur mbi 200 pikë, mbi 100 topa në tabela e mbi 100 asiste në 10 ndeshjet e para të edicionit. Këtë arritje të madhe, ai e realizoi në fitoren e Denver Nuggets kundër New York Knicks me rezultatin 114-89.

Jokic shënoi 22 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 5 asiste. Për ta kuptuar rëndësinë e barazimit të rekordit, mjafton të thuhet se nivele të tilla nuk shiheshin në Amerikë që nga viti 1961. Në total, Jokic ka 244 pikë, 112 topa në tabela dhe 104 asiste në 10 sfidat e para të këtij sezoni.

Në moshën 25-vjeçare dhe me shtatlartësinë 2.13 metra, basketbollisti serb po kthehet në një nga më të mirët e ligës, si dhe padyshim cilësohet si lojtari qendër më i mirë. Talenti i tij është i tillë, saqë ai cilësohet një lojtar anësor i mishëruar në trupin e një qendre.

Vitin e kaluar, Jokic udhëhoqi Denver Nuggets deri në finalen e madhe të NBA-së, humbur vetëm përballë Lakers të LeBron James. Këtë herë, skuadra nga Kolorado nuk e ka nisur shumë mirë kampionatin, por me një lider të tillë padyshim që mund ta kthejë fatin për mbarë. /abcnews.al