Niko Peleshi takohet me ministrin maqedonas

schedule12:25 - 4 Prill, 2018

schedule 12:25 - 4 Prill, 2018

Tregtia midis Shqipërisë dhe Maqedonisë është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore. Por ka lindur nevoja që të ketë lehtësim të procedurave doganore në eksportin e prodhimit bujqësor. Ka qenë kjo tema e takimit në Ohër të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, me homologun maqedonas, Ljupco Nikolovski.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë një fluks të lartë tregtar në importin dhe eksportin e prodhimit bujqësor edhe për shkak të afërsisë gjeografike. Gjatë vizitës një ditore në Ohër, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, në takimin me homologun maqedonas u ndal më konkretisht tek lehtësimi i procedurave doganore në eksportin e prodhimit të hershëm bujqësor, problem i ngitur më herët edhe nga tregtarët shqiptarë, si dhe në zgjerimin e listës së eksportit për nënproduktet e qumështit. Problematika, për të cilat u ra dakord, që të diskutohen në nivel teknik, për të arritur në një zgjidhje të shpejtë.

“Sot që flasim, ne kemi një volum tregtar prej rreth 25 milionë euro. Në fakt, Shqipëria importon më shumë sesa eksporton drejt Maqedonisë, por rritja e volumit tregtar, rritja e eksporteve dhe rritja e importeve nga të dy vendet, në fakt është edhe treguesi i punës së ministrive tona respektive. Ne jemi konkurrentë, por jemi edhe komplementarë, pra kemi mundësinë dhe potencialin e madh që të shfrytëzojmë këtë komplementaritet, pra të rrisim shkëmbimet tregtare përmes marrëveshjeve, ku të dy palët fitojnë. I besojmë tregtisë së lirë, ndaj dhe ky takim ka patur një vullnet të dyanshëm”, është shprehur Ministri Peleshi.

Volumi tregtar në sektorin e bujqësisë për vitin 2017, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte rreth 3.3 miliardë lekë. Produktet më të eksportuara vazhdojnë të mbeten produktet e freskëta: domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta,prodhime brumi.
Në kuadër të vendeve pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Europën qendrore, Maqedonia është një ndër tre partnerët tregtarë kryesorë, nga ku origjinojnë 30.1% të importeve të produkteve bujqësore dhe shkojnë 12.7% të eksporteve të Shqipërisë./abcnews.al