Niko Kovaç s’ka siguri si trajner i Bajernit

schedule17:45 - 26 Maj, 2019

schedule 17:45 - 26 Maj, 2019

Niko Kovaç sërish mund të mos jetë trajner i Bajernit të Mynihut, edhe pse fitoi dy trofe këtë sezon. Kroati, gjithsesi, është kthyer në idhull të tifozëve, me suksesin në Bundesligë dhe në Kupën e Gjermanisë.

Triumfi dhe festa nuk e kthyen plotësisht sigurinë, por lufta vazhdon.

Bajerni fitoi Kupën e Gjermanisë dhe trajneri Niko Kovaç, ende në dyshim për t’u shkarkuar, vendosi ta tregonte veten.

Priti derisa njëri nga kapitenët, Tomas Myler, të bënte përshëndetjen e tij në stadiumin “Olimpik” të Berlinit, dhe pastaj e mori megafonin edhe vetë, duke iu drejtuar tifozëve

“Pa ju nuk do të kishte qenë e mundur, – tha kroati, – ju falenderoj, nuk arrij dot t’ua shpreh sa duhet sesa krenar jam për ju”.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai u ngacmua për mesazhin dhënë tifozëve, dhe për të ardhmen.

“Ndonjëherë mendoj se do të kishte qenë më mirë që gjërat të kishin shkuar pak më ndryshe, – u shpreh Kovaçi, – nuk është e lehtë të kthesh timonin nga krahu i duhur, në fund të fundit që të gjithë jemi njerëz, dhe duhet të dimë të merremi vesh. Është e vështirë të them sesi ndihem tani. Vjet fitova kupën (me Frankfurtin), dhe u largova nga klubi me lot në sy. Këtë vit nuk pati lot, por sërish fituam”.

Bajerni ishte fitues i merituar dhe finalja ndaj Lajpcigut ishte një tjetër kulm për trajnerin kroat.

Dy gola të Robert Levandovskit, dhe rrjeta shumë e bukur e Kingli Komanit i dhanë bavarezëve trofeun e dytë të sezonit, pas titullit në Bundesligë.

Kovaç u bë i pari njeri që realizon fitoren e dyfishtë në Gjermani, si lojtar dhe si trajner.

Me shumë gjasë, gjërat mund të ndryshojnë dhe shefi ekzekutiv Karl-Hajnc Rumenige, njeriu që e ka luftuar më shumë, të pranojë vazhdimësinë e njeriut të stolit.

Kjo, edhe sepse tifozët e duan trajnerin e tyre.

Niko Kovaç kaloi një sezon të vështirë në Mynih, me legjendat Riberi e Roben në fund të karrierës, dhe me lojtarët e kombëtares si Humels, Boateng apo Myler, larg formës së dikurshme.

Ndoshta sezonin e ardhshëm, me përforcimet e mëdha që do të bëjë klubi, Bajerni do të jetë sërish i madh edhe në Champions./ABC News Albania 24/7