Nigeri/ Banditët e armatosur vrasin një person, rrëmbejnë 150 të tjerë

schedule13:30 - 26 Nëntor, 2023

schedule 13:30 - 26 Nëntor, 2023

Njëqind e pesëdhjetë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, u rrëmbyen, ndërsa një banor u vra në një sulm të armatosur të koordinuar në katër fshatra në shtetin veriperëndimor të Zamfara, Nigeri, sipas asaj që thanë burimet lokale dje.

Rrëmbimet për shpërblim janë bërë një plagë në Nigerinë veriperëndimore vitet e fundit, pasi bandat e armatosura, të quajtura përgjithësisht banditë nga autoritetet, synojnë qytetarët, nxënësit e shkollave dhe udhëtarët, duke kërkuar çdo herë që të paguhen miliona për lirimin e pengjeve.

Fenomeni ka marrë përmasa të tilla, saqë udhëtimet dhe aktivitetet bujqësore në disa zona tashmë konsiderohen të rrezikshme.

Një zëdhënës i policisë në Zamfara nuk u përgjigj menjëherë kur u pyet nga agjencia e lajmeve Reuters për koment mbi sulmin, i cili ndodhi të premten mbrëma.

Sipas banorëve, persona të armatosur me dhjetëra motoçikleta nisën bastisje në katër fshatra në rrethin Maru të shtetit. Ndërsa, sipas një zyrtari të zgjedhur lokal, personat e armatosur udhëhiqen nga një Lawali Damana, i cili po kërkon 100 milionë naira (rreth 109,000 euro) nga banorët sepse forcat e sigurisë vranë katër nga njerëzit e tij.

Nigeria vazhdon të përballet me një sërë sfidash sigurie, veçanërisht me kryengritjen xhihadiste 14-vjeçare në verilindje të saj, por edhe aktivitetin separatist në juglindje dhe përplasjet e shpeshta vdekjeprurëse midis fermerëve dhe barinjve në shtetet qendrore.

Presidenti i ri Bola Tinubu, i cili mori detyrën në maj, nuk ka paraqitur ende ndonjë plan për të trajtuar pasigurinë në vendin më të populluar të Afrikës. Reformat ekonomike që ai promovoi, veçanërisht heqja e subvencioneve të karburanteve dhe kursi i lirë i këmbimit të monedhës, ngritën në qiell koston e jetesës, duke zemëruar shumë qytetarë./abcnews.al