Në nder të 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ujëvara Niagara në Kanada u “ngjyros” kuqezi duke bërë krenarë komunitetin shqiptar që jeton atje, por jo vetëm. Por si lindi ideja? Për të folur për këtë, “ABC” kontaktoi me ambasadorin e Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, i cili në një bisedë me gazetaren Fabiola Hoxha rrëfeu përgatitjet dhe emocionet.
“Ishte një kërkesë që ju përcoll autoriteteve nga ambasada jonë në Kanada. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Ujëvara është një nga pikat më turistike në botë. Kishte mjaft turistë vendas dhe të huaj që shijuan një pamje spektakolare, ishte kënaqësi që të merrnim edhe urimet e tyre” tha ai.
Por si u realizuan festimet këtë vit, ndikuar edhe nga pandemia? Ambasadori thotë se përgatitjet filluan që në nisje të muajit nëntor që është shpallur muaji i trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Kanadaja është vendi i diversitetit. Festimet kanë filluar prej fillimit të nëntorit dhe shkak është që ne jemi në një muaj të shpallur me ligj të veçantë, muaji i trashëgimisë shqiptare. Shumë shqiptarë janë angazhuar për promovimin e Shqipërisë por edhe të lidhjeve, marrëdhënieve e bashkëpunimit me Kanadanë mike.
Dje me një numër të kufizuar u ngrit flamuri kombëtar në ambientet e bashkisë së Otavës. Ceremonitë festive kanë qenë virtuale për shkak të koronavirusit” tha ai. Ermal Muça thotë se urimet nuk kanë munguar edhe nga kryeministri kanadez për ditën e Flamurit. / db/Abcnews.al