Ngujohet në makinë/ Në tokën e tij do vendoset shtylla e tensionit të lartë, nuk lejon punimet

schedule11:58 - 7 Qershor, 2023

schedule 11:58 - 7 Qershor, 2023

Një banor në fshatin Vadhizë të Fierit është ngujuar në makinën e tij në një hapësirë toke që pretendon se e ka me dokumenacion të rregullt dhe mbi të cilën do të vendoset një shtyllë e tensionit të lartë.

Gazetarja e ABC News, Valbona Davidhi raporton se banori ka pasur korrespondencë me firmën dhe në bazë të shkresave është përjashtuar nga ky projekt, ndersa kanë ardhur dhe i kanë piketuar vendin për vendosjen e shtyllës.

Shtetasi nuk del nga makina ndërsa ka bërë kallëzim edhe në polici. Përfaqësues të firmës kane ardhur për të nisur punimet dhe ai nuk i lejon.

“Vazhdon të qëndrojë i ngujuar në automjetin e tij, në tokën e tij sepse pretendon se në tokën e tij do kalojë një pjesë e linjës së tensionit të lartë dhe konkretisht një shtyllë e tensionit të lartë. Dokumentacionin e ka të rregullt, por çështja diskutohet sepse shtylla e tensionit të lartë mund të ndërtohet në atë që quhet tokë publike, bëhet fjalë për një rrip toke në anë të tokës private të banorit të fshatit Vadhis, Ervin Mema.

Pritet që të mbërrijë një topograf në kuadër të këtij rasti, i cili do të vërtetojë dhe do të konfirmojë nëse shtylla e tensionit të lartë po ndërtohet në hapësirën private të zotërisë apo në tokë publike. Pretendimi i banorit është te kompensimi financiar, nëse shtylla e tensionit të lartë do ndërtohet në tokën e tij, atëherë ai nuk duhet të ishte përjashtuar, siç pretendon, nga  kompensimi i zënies së hapësirës private”, raportoi gazetarja Davidhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!