28-vjeçari që ngriti me dron flamurin e PD-së gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokratike është proceduar penalisht në gjendje të lirë. I riu me iniciale A. G., banues në Tropojë është proceduar për veprën penale të “Pengimit në ushtrimin e të drejtës për tu shprehur, grumbulluar apo manifestuar”.
Më 9 prill, ndërsa aktori Petrit Malaj, kandidat për deputet të Partisë Socialiste në listën e Kukësit fliste me banorët në Tropojë, një flamur i Partisë Demokratike u valvit me dron sipër kokave të tyre.
Malaj reagoi më pas duke publikuar një video të flamurit të PD-së që rrëzohet një rrjet anësore të stadiumit ku po mbahej takimi dhe më tej rrëzohet në tokë.
Postimi i Petrit Malaj:
“Kjo është përgjigjia ime, ndaj provokimit të sotëm, dhe gjithë “portaleve” dhe personave dezinformues, të cilët kanë për qëllim vetëm të gënjejnë qytetarët Tropojan dhe mbarë Shqipërinë, duke nxjerrë pamjet e sotme të pjesshme dhe pa zë. Ky takim, jo vetëm që nuk u ndikua nga disa çapaçul, por ishte një organizim madhështor nga të rinjtë tropojan me vizion të ri, larg nga e vjetra dhe me sytë nga e ardhmja e tyre, duke lënë pas, militantizmat dhe tifozllëkun e verbër politik!
“I vetmi shpend që e merr guximin ti bjer në qafë shqiponjës, është sorra. I ulet në kurriz dhe fillon ti çukisë qafën. Megjithatë, shqiponja nuk i përgjigjet, as nuk lufton me të, as nuk merret me të fare. Thjeshtë hap krahët dhe fillon të fluturoj lart. Sa më lart ngjitet aq më shumë i vështirësohet frymëmarrja sorrës për shkak të mungesës së oksigjenit. Mos humb kohë me njerëzit e pavlerë, ngjitu në nivele të larta dhe ata do të zhduken vetë. Kjo është mënyra më e mirë për ti hequr qafe sulmet e kota nga njerëz të kotë”. sb/abcnews.al/