Ngrihet nga pista e aeroportit në Kabul avioni i fundit amerikan, talebanët festojnë me breshëri armësh

schedule22:51 - 30 Gusht, 2021

schedule 22:51 - 30 Gusht, 2021

Nga pista e aeroportit të Kabulit janë ngritur avionët e fundit amerikanë, raporton AP duke cituar një roje të talebanëve. Pas largimit të amerikanëve, raportohet se talebanët festuan me breshëri armësh rreth e qark kryeqytetit afgan për të shënuar kështu fundin simbolik të luftës që zgjati për 20 vite.

Në Uashington, SHBA konfirmoi tërheqjen e trupave të fundit të cilët kishin afat deri të martën për t’u larguar nga vendi. Hemad Sherzad, një luftëtar taleban i cili qëndronte në aeroport tha se të martën herët pesë avionët e fundit amerikanë u nisën rreth mesnatës.

https://www.youtube.com/watch?v=NmoHordhLDw

Kjo do të shënonte fundin e një transporti ajror masiv që ka lejuar më shumë se 116,000 njerëz të largohen që prej se talebanët erdhën sërish në pushtet dy javë më parë.

Në njoftimin e përfundimit të procesit të evakuimit, gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, tha se aeroplanët e fundit u ngritën nga aeroporti i Kabulit në orën 15:29. EDT, ose një minutë para mesnatës në Kabul.

Më herët gjatë të hënës, militantët e “Shtetit Islamik” lëshuan një breshëri raketash në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit që po zbrazej me shpejtësi pa dëmtuar askënd. Gjatë gjithë ditës, avionët bënë fluturime pavarësisht sulmit me raketa.

https://www.youtube.com/watch?v=UoazoDc5vvc

Talebanët janë zotuar se do të lejojnë udhëtime normale pas përfundimit të tërheqjes së trupave amerikane dhe pasi të kenë nën kontroll aeroportin. Megjithatë nuk dihet ende sesi militantët do të drejtojnë aeroportin dhe cilët transportues komercialë do të fillojnë të fluturojnë, duke pasur parasysh shqetësimet e vazhdueshme të sigurisë.

Largimi i amerikanëve shënon fundit e një misioni 20 vjeçar që nisi në Afganistan pak pas sulmeve të 11 shatorit në 2001. Në këto 20 vite u vranë 2,461  trupa amerikanë dhe civilë ndërsa mbi 20,000 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Mes viktimave janë llogaritur edhe 13 ushtarët amerikanë që u vranë në sulmin kamikaz të ISIS. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!