Ngrihet flamuri i BE-së para Kryeministrisë, Rama: Do doja të ishte dhe opozita, Shqipëria po ngjitet në majën që meriton

schedule08:40 - 20 Korrik, 2022

schedule 08:40 - 20 Korrik, 2022

Është mbajtur këtë të mërkurë ceremonia e ngritjes simbolike e flamurit të Europës në ambientet e Kryeministrisë, pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. I pranishëm ishte kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten Linda, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim si dhe përfaqësues të BE.

Kryeministri Rama u shpreh se 20 korriku, është një ditë e re për Shqipërinë. Ditën e djeshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u çelën zyrtarisht negociatat për aderimin në BE.

Rama: Shumë të dashur qytetarë dhe qytetare, shqiptarë dhe shqiptare. Sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falenderoj ju që jeni këtu për ceremoninë e ngritjes, pas çeljes së negociatave. Prania juaj këtu është më shumë se një prani protokollare, pasi ju me institucionet që përfaqësoni jeni kontributorë për rrugëtimin e rrugës evropiane të Shqipërisë.

Ngritja e këtij flamuri në selinë e kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel. Jo vetëm në marrëdhëniet me BE, por edhe në të ardhmen e saj, me institucionet, liritë dhe të drejtat, sigurinë në çdo drejtim.  Ky moment shënon ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me rregullat dhe vlerat evropiane.

Kryeministri në fjalën e tij nuk la pa përmendur opozitën. Ai shprehu dëshirën që opozita të ishte e pranishme gjatë ceremonisë së sotme.

Rama: Do të kisha dashur sot që këtu të ishte dhe opozita, sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE-në kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Por sot opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e Bashkimit Evropian që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjesë tjetër e cila ndryshon nga e para se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë, por edhe po i ftove nuk vijnë se kanë frika nga e para. Hë për hë do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë.

Unë e di se mes përfaqësuesve të vendeve mike dhe aleatë ka disa që i gëzohen kësaj arritjeje historike më shumë se disa syrre mes nesh që nxijnë si shpirti i tyre. Dua  jo vetëm t’i falënderoj sot për gjithçka bënë që negociata të hapen dhe Shqipëria të ngjitet në rrugën drejt majës ku populli shqiptar meritor, dua edhe t’i kërkoj ndjesë për gjithçka që i kanë dëgjuar veshët nga gojët e shthurura të Shqipërisë.

/Abcnews.al/

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!