Ngjitja në Superiore kërkon tjetër nivel, projektohet revolucioni te Dinamo

schedule15:37 - 10 Maj, 2021

schedule 15:37 - 10 Maj, 2021

Kanë qenë mësuar me tituj dhe duan që t’i kenë përsëri. Dinamo jo më kot është 18 herë kampione e Shqipërisë dhe triumfet e viteve të kaluara synohen të jenë të arritshme menjëherë pas ngjitjes në Superligë.

Skuadra kryeqytetase siguroi matematikisht kalimin në elitë pas fitores 2-0 në fushën e Vorës, duke triumfuar në grupin A të Kategorisë së Parë dhe lënë pas rivalë si Burreli, Korabi apo Besëlidhja.

Në fushën e Vorës, të besuarit e trajnerit Olsi Uku triumfuan falë dy golave të shënuar nga sulmuesi Djidjiwa dhe u bënë të paarritshëm. Tashmë mbetet vetëm finalja për titull ndaj Egnatias së Rrogozhinës, që fitoi grupin B.

Gjithsesi, shpejt tek Dinamo do të ketë ndryshime të mëdha dhe do të nisë zbatimi i një projekti të ri. Burime në klub treguan për ABC-në se aksionerët e rinj, me në krye Ardian Bardhin, kanë plane për të përforcuar ekipin dhe për të caktuar një trajner të ri.

 

Për momentin nuk jepen emra, por informacioni është që ka tri kandidatura, që janë trajnerë shqiptarë dhe që kanë fituar trofe në vendin tonë.

Nuk dihet kë do të caktojë Dinamo, por trajnerët që kanë fituar trofe në Shqipëri janë Ernest Gjoka, Shpëtim Duro, Ilir Daja, Mirel Josa apo Sulejman Starova, ndërsa në planet e Dinamos nuk është Emanuel Egbo, që doli kampion me Tiranën sezonin e kaluar.

Klubi pritet të dalë zyrtarisht me projektin e ri pas finales me Egnatian, ndërsa Ardian Bardhi ka qenë sponsor tek Teuta, e bashkë me të do të jenë edhe disa aksionerë të tjerë, përfshi edhe italianin Marco Pontreli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!