Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka folur rreth ngjarjes në ish-Bllok që tronditi Tiranën. Basha tha se është zbuluar që bëhet fjalë pë përplasje për pazare droge.
“Ngjarja e fundit në Tiranë që na u shit për 4 ditë si përplasje për një këngëtare, është zbuluar se është përplasje për pazare droge, ku janë përfshirë trafikantë të njohur dhe të dokumentuar për lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Saimir Tahiri u nis për në Gjermani? Pasi i ktheu pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë (Ervin) Matën e përfshirë në lokal në goditjen me armë mes bandave rivale. Ku ka ndodhur kjo? Në zemër të Tiranës, në një lokal të preferuar nga ministri Arben Ahmetaj dhe politikanë të tjerë”, tha Basha.
Fabjan Gaxha mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën në përplasjen me armë të së enjtes në një lokal në zonën e ish-Bllokut.
Policia ka shpallur në kërkim 3 persona, një prej të cilëve i dashuri i këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata dhe një komando, Merviol Bilo. Ndërsa në mesin e dy të plagosurve të arrestuar është edhe Ervis Martinaj që ka marrë masën e sigurisë arrest me burg me afat për 30 ditë./abcnews.al