Ngërçi SHBA-Kore e Veriut, Jimmy Carter ofrohet si ndërmjetës

schedule22:45 - 8 Mars, 2019

schedule 22:45 - 8 Mars, 2019

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhimi Karter i ka propozuar administratës Trump të bëhet ndërmjetës për çështjen koreane. Aktualisht 94-vjeç, Karter nuk udhëton më por është shprehur i gatshëm të shkojë në Penian për të negociuar, sikurse bëri në vitin 1994.

Ish-presidenti amerikan Xhimi Karter është shprehur i gatshëm të shërbejë si ndërmjetës mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, për të zgjidhur ngërçin e krijuar nga Donald Trump dhe Kim Jong Un lidhur me çështjen bërthamore. në vitin 1994 Karter u bë i pari ish-president amerikan që shkeli në Korenë e Veriut, ku u takua me Kim Il Sung, themeluesi i republikës së vendit aziatik dhe gjyshi i Kim Jong Un.

Ishte një vizitë jozyrtare, por në të cilën dy liderët hartuan një plan dypalësh për paqen që zgjati rreth 10 vjet. Sipas mediave amerikane, Karter, aktualisht 94 vjeç, nuk udhëton më por është i gatshëm të shkojë në Penian në rast se administrata Trump do të kërkonte asistencën e tij. Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar lajmin, por sipas burimeve mediatike, ka fare pak gjasa që presidenti aktual të bëjë aleancë me një pasardhës demokrat.

Samiti i dytë mes Donald Trump dhe Kim Jong Un, i mbajtur në Vietnam, dështoi për shkak se pala amerikane nuk ra dakord të hiqte të gjitha sanksionet ekonomike për vendin e izoluar aziatik, për të cilin flitet se ka rifilluar aktivitetet e armatimit. Vetë presidenti Trump deklaroi se do të ndihej shumë i zhgënjyer nga lideri Kim Jong Un, për të cilin nuk i ka kursyer fjalët e mira, nëse Korea e Veriut do t’u rikthehej testeve raketore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!