Ka dështuar për të 12-tën herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës duke e çuar vendin në një krizë të thellë politike pa zgjidhje. Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të sigurojë 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Partitë politike opozitare të deritashme e kundërshtojnë emrin e Albulena Haxhiut, si e propozuar e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit. Gjithashtu e refuzojnë bashkëpunimin me partinë e Albin Kurtit, kryeministër në detyrë.
Kurti kërkon koalicion por refuzohet
Para kësaj situate pa zgjidhje që të dilet nga ngërçi i krijuar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një letre i kërkoi bashkëpunim për koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që doli partia e tretë në zgjedhje, por jo PDK-së që ishte partia e dytë. “Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, shkroi Kurti në letër.
Përgjigjja e liderit të LDK-së, që doli partia e tretë në zgjedhje, ishte “Jo”. Kreu i saj, Abdixhiku refuzon koalicion vetëm me Vetëvendosjen, duke thënë se është i pamundur bashkëpunimi me Vetëvendosjen. Kreu i LDK-së ka propozuar, siç thotë, “një qeveri nacionale të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare deri në zgjedhjen e presidentit të ri për të dalë nga bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës”. “LDK propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit. LDK kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e qeverisë nacionale të tranzicionit, një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut për Kurtin.
Deputetët e VV-së nuk pranojnë qeveri tranzitore
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje menjëherë janë shprehur kundër propozimit të liderit të LDK-së për një qeveri tranzitore, duke thënë se Vetëvendosja ka dalë partia e parë në zgjedhje, dhe Kosova ka nevojë për koalicion qeverisës, por jo qeveri tranzitore të shumicës shqiptare.
Përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë janë shprehur me shqetësim për vonesat e krijimit të institucioneve të Kosovës dhe përgjegjëse i bëjnë vetë partitë politike parlamentare që s’po gjejnë gjuhë të përbashkët.
Kos: Kosova të krijojë sa më parë institucionet
Tani ka reaguar edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, e cila tha se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet. “Është në interesin e Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saj për t’i çuar përpara reformat urgjente evropiane,” ka thënë Marta Kos, duke veçuar edhe nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, do të duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri. Sipas Kos, “kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera,” ka thënë Kos./dw/