Ngërçi politik bllokon fondet e BE/ Kreu i Odës Ekonomike: Kurti mban peng Kosovën, po dëmtohemi nga të gjitha anët

schedule17:27 - 25 Prill, 2025

schedule 17:27 - 25 Prill, 2025

KOSOVË- Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Bashkimi Europian ka bërë thirrje dy herë për të nxituar në procesin e formimit te institucioneve të reja të Kosovës, pa përmendur thirrjet e njësive diplomatike te perëndimit në Prishtinë.

Konstituimi i parlamentit është themelor për kalimin e reformave te domosdoshme për avancimin e procesit integrues të vendit në Bashkimin Europian po sigurisht edhe për përfitimin e fondeve nga Brukseli, përfshirë këtu fondet nga Plani i Rritjes.

Brukseli ka ndarë për Kosovën 882.6 milionë euro, nga të cilat rreth 62 milionë euro, pra 7 për qindëshi i parë do të mund të merreshin nga Prishtina, por ky proces ka ngecur, bashkë me ngecjen e zhvillimeve politike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i ftuar në “Ballkan Update” u shpreh se vonesat në konstituimin e institucioneve po e mban peng zhvillimin e vendit.

Ai theksoi se përthithja e fondeve të BE-së nuk mund të bëhen nëse Kuvendi nuk është funksional.

“Kusht për të përfituar ende nga BE është konstituimi i Kuvendit. Imazhi jo i mirë që është krijuar për Kosovë, ku është nën masa sanksionuese nga BE dhe tensionin mes qeverisë dhe presidencës për tarifat me SHBA.

Ne nga të gjitha anët po dëmtohemi. Kurti po e mban peng Kosovën. Është shqetësuese shumë.

Kosova e ka të domosdoshme që të ketë institucionet e saj fuqiplota dhe të marrin vendime në interes të vendit.

Mosdeklarimi nga partia më e madhe që është në pushtet mbi dëmet që po shkaktohen nga mosgjetja e konsensusit për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, është shqetësuese”, tha ai.

Gjatë intervistës, Rafuna pohoi se nuk ka asnjë investim të huaj në Kosovë dhe ky është një fakt se imazhi i vendit është dëmtuar rëndë.

“Ka hezitim për të ardhur investime të huaja në Kosovë. Nuk kemi investime të huaja kualitative.

Nuk kemi fabrika që prodhojnë dhe punësojnë punëtorë. Vendet përreth Kosovës po ecin më shpejt.”, tha ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!