TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, komentoi ftesën e Gazment Bardhit drejtuar deputetëve të PD-së dhe opozitës që të marrin pjesë në një mbledhje të përbashkët ditën e nesërme.
Gjekmarkaj tha në “Tirana live” se në këtë mbledhje janë të ftuar jo vetëm deputetët demokratë, por e gjitha opozita. Ai tha se fokusi i këtij takimi është të diskutohet jo për përplasjet e dy viteve të fundit në PD, por për ndërtimin e një aksioni të përbashkët opozitare kundër qeverisë.
“Nesër është një mbledhje e të gjithë opozitës, nuk është thjesht një mbledhje e grupit parlamentar të PD, por janë ftuar edhe aleatë për të diskutuar për aksionin opozitar. Mbledhja ka në fokus të ardhmen më shumë se sa të shkuarën. Nuk mendoj se do të diskutohet për cështje të historisë dy vjeçare të përplasjeve në PD, por mbi aksionin opozitar sepse të gjithë ato që janë votuar nga populli, janë përfaqësues të tij dhe mendoj se duhet të konsiderohen politikisht”, theksoi Gjekmarkaj.
Ai tha se opozita duhet të rakordojë veprimet dhe qëndrimet përballët aksioneve, kundër partisë në pushtete.
“E shoh më përtej se sa një bashkim mekanik Bardhi – Berisha, shoh që forcat opozitare duhet të rakordojnë qëndrimet dhe veprimet. Personalisht kam mbajtur një qëndrim të caktuar dhe nuk jam tërhequr. Me modesti kam hedhur idenë e një fedarizimi, të një lloj federate ku secili mund të ruajë koherencën e tij politike, por mund të fokusohet te temat e përbashkëta të opozitarizmit. Hapësira për të ndërtuar opozitë ka pafund, çështja është tek vullneti dhe dëshirat”, tha ai.
Ai u shpreh se Partia Demokratike për të tejkaluar ngërçin aktual duhet të shkojë përtej Bashës dhe Berishës, me synimin për të caktuar një lider të ri, i cili përbashkon të gjithë forcat dhe e sjellë PD-në si parti të fortë opozitare.
“Nuk kam ndërmend të tërhiqem nga qëndrimet e mia. Nuk kam ndermet të shkojë te foltorja, por nga ana tjetër që të ndërtosh një kornizë të përbashkët opozitarizmi, kjo është e mundur edhe në Shqipëri. Madje do doja që partia të bashkohej. Bashkimi nuk është ai që të sjell fitoren, por është minimumi që të ndërtohet një ringritje, një garë të re, dhe mbi të gjitha një lidership të ri të opozitës. Unë do doja një lidership përtej Berishës dhe Bashës. Mund t’i doja si asete të PD, duke luajtur rolin e vet, por secili prej tyre e ka humbur të drejtën morale për t’i udhëhequr demokratët në përballje me Edi Ramën dhe qeverinë”, tha ai.
Veprimet e fundit të Bashës, Gjekmarkaj i cilësoi si “akte komedie” ndërsa shtoi faktin se ai nuk e përfaqëson dot Partinë Demokratike pasi rreth vetes ka vetëm shtatë deputetë, të cilët janë bashkuar thjesht për ta mbajtur atë në politikë.
“Basha nuk mund të hiqet si përfaqësues i PD, do doja që të bënte aktin që ta linte komedinë që ka nisur. Lufta brenda llojit është lufta më e pështyrë. Nëse këto nuk tejkalohen, PD nuk shkon drejt bashkimit, drejt një lideri të ri, unë e shoh shumë të vështirë betejën pas dy vitesh me qeverinë”, tha Gjekmarkaj./ n.m.abcnews.al