Ngërçet e mëdha që lanë Shqipërinë te porta e BE-së

schedule21:06 - 4 Qershor, 2022

schedule 21:06 - 4 Qershor, 2022

Nga emisioni VETTING

Shqipëria e viteve të para pas diktaturës komuniste, kishte shumë varfëri, skamje, betejë për mbijetesë por kishte shumë shpresë. Një shpresë për liri që përcillej nga fuqia e shpirtit të një populli që kishte lënë pas 45 vite diktaturën më famëkeqe në të gjitha vendet e lindjes komuniste. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa ishte thirrja që përbashkoi një popull, një thirrje që i drejtohej elitës së re politike por edhe komunitetit ndërkombëtar, në atë kohë pati shumë shpresë se Shqipëria do të bëhej shumë shpejt pjesë e bashkimit evropian. Sot pas tri dekadash duket e pabesueshme por Shqipëria është më larg dyerve të bashkimit Evropian.

Kur Shqipëria firmosi marrëveshjen tregtare të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian në maj të vitit 1992, të pakët qenë shqiptarët që menduan se pas 30 vitesh Shqipëria do të ishte jashtë BE-së. Aq më të pakët qenë ndërkombëtarët që mendonin një skenar kaq pesimist do të jetësohej në 30 vitet në vazhdim.

“Më lejoni t’ju korrigjoj si fillim se ju sapo deklaruat se shqiptarët besuan se sapo u afruam për tu integruar ne u larguam .Unë sigurisht se nuk jam dakord me këtë lloj procesi për arsye se përgjatë gjithë këtyre mbi 30”

Besnik Mustafaj, ish-ambasador dhe ish-ministër i jashtëm i Shqipërisë e gjen përgjegjësinë pikërisht tek klasa politike. Ish-ministra të tjerë të jashtëm e shohin padyshim problemin pikërisht tek elita politike që ka prodhuar një situatë ku sundimi i ligjit është ende një aspiratë e ku krimi dhe korrupsioni lulëzojnë në një ambient ku mungon ndëshkueshmëria.

Dy vitet e para pas rënies së diktaturës komuniste, vendet e perëndimit u angazhuan maksimalisht për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj të re të demokracisë. Krerët më të lartë të BE-së dhe SHBA-së vizituan Shqipërinë dhe pritën në takime të vazhdueshme drejtues të elitës së re politike. Kjo përpjekje e SHBA-së dhe BE-së do të intensifikohej pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992 me fitoren e Partia Demokratike.

Prej partisë së re të themeluar në dhjetor 1990, pritej një udhëtim i ri për Shqipërinë që do të kishte bashkëshoqëruese lirinë e ëndërruar kaq shumë ndër shqiptarë. Në atë kohë nuk kishte asnjë dyshim, prej askujt që Shqipëria do të bëhej shpejt pjesë e BE-së.

Komuniteti Evropian përcaktoi një axhendë intensive për mbështetjen e shumë reformave të demokratizimit dhe ndërtimit të shtetit ligjor: Reforma kushtetuese, reformimi i sistemit të drejtësisë, ngritja e konsolidimi i institucioneve demokratike përmes aktivizimit direkt të eurodeputetëve në komisionet parlamentare në Shqipëri si dhe në institucionet e tjera shtetërore; ndihmë për hartimin e ligjeve elektorale për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale; ndihmë për ristrukturimin e një baze demokratike të pushtetit lokal, dhënia e ekspertizës për reformimin e sistemit të burgjeve e të tjera. Pati gjithashtu ndihma shumë të rëndësishme financiare përmes programeve të ndryshme të BE-së. Synimi i institucioneve më të larta të BE-së ishte integrimi shumë i shpejtë i Shqipërisë në Union. Në tetor të vitit 1992, ministri i jashtëm i kohës, Alfred Serreqi do të rendiste prioritetet e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në.

Më 20 gusht 1993, presidenti i parlamentit evropian Egon Klepsh , vizitoi Shqipërinë. Në fjalën e mbajtur në parlament, ai deklaroi se BE është garanti për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe se parlamenti Evropian ishte i gatshëm të integronte sa më shpejt Shqipërinë. Por për të mbërritur deri tek integrimi, duheshin reforma të cilat do të bazoheshin apsolutisht mbi liritë dhe të drejtat e njeriut.

Dhe në fakt këto vështirësi ishin shumë më të mëdha se ç’kishte parashikuar zyrtari I lartë evropian. Do të dukeshin shpejt pengesat e pakapërcyeshme drejt një sistemi demokratik. Në vend të një rrugë drejt lirisë dhe demokracisë, për fat të keq, shpejt do të niste të shtrohej rruga e autoritarizmit, i cili do të pengonte çdo përpjekje ndërkombëtare për ta përfshirë Shqipërinë në Bashkimin evropian. Qysh në fillimet e mandatit qeverisës 1992-1996, u shënuan disa precendentë në kundërshtim të plotë me konceptin e lirisë dhe demokracisë si brenda partisë politike në pushtet ashtu edhe nëpër institucione. Ndodhën përjashtime nga PD-ja të shumicës së themeluese ndërkohë që institucionet që supozoheshin të pavarura, ato vareshin plotësisht nga presidenti i vendit Sali Berisha. I gjithë pushteti politik u përqendrua në duart e një individi duke kthyer nuancat e autoritarizmit.

E megjithatë situata nuk është bardh e zi sepse gjatë kësaj kohe u kryen reforma shumë të rëndësishme ekonomike dhe institucionale. Duhet të kemi parasysh se Shqipëria e dalë nga diktatura gjendej në varfëri ekstreme dhe ende me plagët e hidhura të diktaturës. Natyrisht që nuk ishte aq e thjeshtë dhe askush nuk e priste që të mbinte nga hiçi demokracia. Gjithsesi, liria e shkelur dhunshëm do ti kushtonte vendit pasoja të pariparueshme dhe do të kthehej pengesë për integrimin euroatlantik të vendit.

Një shfaqje brutale e dhunës ndaj sistemit të drejtësisë do të luhej në një seancë parlamentare në vitin 1995, kur po i bëhej gjyqi kryetarit të gjykatës së kasacionit. Seanca e 1 shkurtit 1995, nuk u lejua të transmetohej në televizion, ashtu siç parashikohej në rregulloren e kuvendit, sipas së cilës çdo seancë parlamentare duhet të transmetohej në televizionin publik shqiptar për efekt të transparencës. Kemi shkëputur një fragment nga fjalimi i deputetit të kohës Gramoz Pashko, i cili flet për dhunën e politikës mbi drejtësinë dhe efektet shkatërruese që do të sillte në procesin e integrimit në BE.

Gjithsesi, në katër vite, mbështetja e komunitetit Evropian vazhdoi me ritme shumë të larta. Shqipëria u anëtarësua në Këshillin e Evropës ndërkohë që avancuan me marrëveshje të tjera në marrëdhëniet mes dy vendeve. Viti 1995 është viti i shansit të humbur.

Në fundin e mandatit të parë, manipulimi i zgjedhjeve të 26 majit 1996, do të përmbyste shpresën për avancim të negociatave të Shqipërisë drejt BE-së.

Kokëfortësia për të mbrojtur një rezultat zgjedhjesh të një procesi ku vota e lirë ishte cënuar rëndë, do të sillte të tjera pasoja në vazhdimësi. Përkundrejt vërejtjeve të faktorit ndërkombëtar për ato zgjedhje, drejtues të PD-së flisnin për arritje të mëdha si dikur në diktaturë kur promovohej slogani: Shqipëria si kala e pamposhtur në brigjet e Adriatikut…”

Është deklarata e deputetit të PD-së Genc Pollo në ditën e parë të parlamentit në korrik 1996, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 26 majit. Dhuna ndaj sistemit të drejtësisë, opozitës, medias dhe kundërshtarëve politikë brenda partisë, u finalizua me vjedhjen brutale të zgjedhjeve të 26 majit. Ky zhvillim do të pasohej me trazirat e vitit 1997 dhe Shqipëria u kthye në pikën zero sa i përket çështjes së integrimit.

Pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 1997, Bashkimi evropian nisi sërish negociatat me Shqipërinë për integrimin. Por në këtë kohë do të shfaqej një nocion i ri në raportin ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, do të quhej nisja e negociata për stabilizim- asocim.

Qeverisja socialiste e tetë viteve do të shoqërohej me korrupsion të nivelit të lartë si dhe me shkelje gjithashtu të të drejtave të njeriut shoqëruar me politizimin e sistemit të drejtësisë. Do të përsëritej historia e mungesës së lirisë brenda partive e cila do të shkaktonte kriza të herë pas hershme në qeverisje.

Tetë vitet e qeverisjes së socialistëve, u shoqëruan me një konflikt politik të vazhdueshëm ndërmjet mazhorancës socialiste dhe opozitës demokrate. Fjalia e parë e çdo zyrtari të lartë që vinte në Tiranë apo fliste për Tiranën zyrtare ishte porosia: duhej një klimë e qetë politike, të ulen tensionet dhe të shmanget konflikti I vazhdueshëm politik.

Liria e votës ishte një premtim solemn i socialistëve kur erdhën në pushtet, një premtim që do të harrohej shumë shpejt sepse në qershor 2001, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare me një nivel manipulimi të krahasueshëm me atë të 26 majit 1996. Është një tjetër shans i humbur nga politika shqiptare për të avancuar drejt integrimit në BE.

Në vitin 2003 Samiti i Selanikut i krerëve të vendeve të BE-së, miratoi procesin e Stabilizim-Asociimit, duke konfirmuar kështu perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Më 3 korrik 2005, u rikthye në pushtet Partia demokratike me premtime të bujshme për luftë kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Në fillimet e mandatit të parë, Shqipëria avancoi në disa prej reformave gjë që u reflektua me përmbylljen e procesit të negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, e cila u nënshkrua në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në Luksemburg më 12 qershor 2006. Më 1 prill 2009 MSA-ja hyri në fuqi. Në po të njëjtin muaj, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE.

Marrëveshja e nënshkruar e asocim Srtabilizimit, u konsiderua si një etapë të re në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

16 vite prej rrëzimit të diktaturës komuniste, 14 vite prej nënshkrimit të marrëveshjes së parë me Bashkimin Evropian, Shqipëria ishte ende në hapat fillestarë të integrimit. Dy shanse shumë të rëndësishme të humbura në këto vite, siç ishte fundi I vitit 1995 dhe fillimi I vitit 1996, një mundësi që u shua nga manipulimi i zgjedhjeve të 26 majit. E dyta mundësi ishte ajo në prag të zgjedhjeve të vitit 2001, kur BE u ofrua me një marrëveshje të veçantë për Shqipërinë dhe në këtë rast do të ishte pikërisht manipulimi i zgjedhjeve që do të ndalte entuziazmin e Brukselit për ti dhënë Shqipërisë kurajo dhe mundësi drejt integrimit. Shpresa për integrim do të ringjallej pasi Partia Demokratike kishte ardhur në pushtet me premtime shumë të mëdha për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Lideri i kohës Sali Berisha premtoi se brenda dhjetë viteve Shqipëria do të ishte pjesë e Bashkimit Evropian. Por se si do të vinte zhgënjimi në tetë vitet pasuese do ta shihni në emisionin e javës së ardhshme ku do të sjellim kronologjinë e procesit të integrimit, pengesat dhe arritjet, tri ligjet që penguan statusin kandidat ku shënohet edhe rasti i tretë si shans I humbur për avancimin e integrimit, nëntë vitet e qeverisjes socialiste dhe kushtet e shtuara për avancimin e negociatave./abcnews.al/