“Ngërç” në parlamentin e Kosovës

schedule12:08 - 19 Shtator, 2018

schedule 12:08 - 19 Shtator, 2018

Mungesa e numrit të duhur të deputetëve në parlamentin e Kosovës apo dhe bojkotimi i seancave nga opozita, ka bërë që Kuvendi të bllokohet duke mos miratuar asnjë ligj. Analistët në vend paralajmërojnë se nëse një gjë e tillë vazhdon atëherë Kuvendi do të dalë jashtë funksionit.

Beteja politike mes dy blloqeve të partive në Kuvendin e Kosovës po ndikon që të zvarritet miratimi i ligjeve të rëndësishme për vendin. Deputetë dhe analistë në vend shprehen të shqetësuar se nëse një gjë e tillë vazhdon, atëherë Kuvendi nuk do të jetë më funksional.

Shtypi i shkruar në Kosovë raporton se në parlamentin e vendit gjatë periudhës Janar – Korrik, në sesionin pranveror, 20 nga 27 seancat e mbajtura janë ndërprerë për mungesë kuorumi.

Sipas të dhënave të Institutit Demokratik të Kosovës, deputetët nga opozita kanë bojkotuar 29% të votimeve në Kuvend, kurse partitë në pushtet kanë bojkotuar 19% të votimeve.

Ndërsa sipas grupeve parlamentare del që Lista Serbe është grupi parlamentar që kryeson listën për mospjesëmarrje në votim me 36%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje me 35%, respektivisht 25% të bojkotimit të votimeve.

Ndërkaq, në sesionin aktual të punimeve Kuvendi i Kosovës është në të njëjtën situatë duke mos siguruar kuorumin e duhur për të vijuar punimet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!