Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, 61-vjeçari Jani Kallajxhi ka ngritur alibi që vajza e tij është abuzuar nga persona të tjerë dhe jo nga ai vetë. Ai ka deklaruar që vajzën ia ka marrë para disa ditësh pronari i një lokali bashkë me bashkëshorten, “sepse donin t’i bënin një surprizë.”
“Kam dyshime që ata mund ta kenë ngacmuar vajzën,” është shprehur ai para gjykatës.
Kallajxhi ka deklaruar gjithashtu se ka kërkuar ndihmë nga bashkia, prefekti dhe shoqata të ndryshime për ushqime dhe për ta çuar vajzën në Tiranë pasi është e sëmurë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Korçës thonë se akuzat e 61-vjeçarit për përfshirje të personave të tjerë në këtë akt abuzimi ndaj të miturës janë alibi.
I vetmi person i vënë nën akuzë për ngacmimin e vajzës, dokumentuar edhe me prova filmike dhe dëshmi, është i ati i saj. Ndërkohë, kujtojmë se Kallajxhi do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. /abcnews.al/