Kirurget gra kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht dhe në disa raste përdhunuar nga kolegët në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar në Britaninë e Madhe, sipas një analize.
BBC ka folur me gratë që janë ngacmuar dhe sulmuar seksualisht.
Autorët e studimit thonë se ekziston një model, ku praktikantet vajza abuzohen nga kirurgë të lartë në spitalet shtetërore të Britanisë. Kolegji Mbretëror i Kirurgëve tha se gjetjet ishin “me të vërtetë tronditëse”.
Gati dy të tretat e grave kirurge që iu përgjigjën studiuesve thanë se kishin qenë objektiv i ngacmimeve seksuale dhe një e treta ishte sulmuar seksualisht nga kolegët në pesë vitet e fundit.
Gratë thonë se kanë frikë se publikimi i të dhënave do të dëmtonte karrierën e tyre dhe gjithashtu nuk kishin besim se NHS do të ndërmerrte veprime. Judith tani është një kirurge konsulente me përvojë dhe e talentuar. Judith u ngacmua seksualisht në fillim të karrierës së saj, kur ishte person me më pak pozitë.
Në sallën e operacionit kur një kirurg po djersiste, sipas saj “u kthye dhe e futi kokën drejt e në gjoksin tim dhe kuptova se po më fshinte ballin, mendova pse është fytyra e tij në dekoltenë time”.
Kur e bëri për herë të dytë, Judith i ofroi t’i merrte një peshqir. Përgjigja e tij ishte “jo, kjo është shumë më argëtuese,” i tha ai. Akoma më keq për të ishte heshtja totale e kolegëve të saj.
“Ai nuk ishte as personi më i vjetër në sallën e operacionit, por ai e dinte se sjellja e tij ishte në rregull”, shprehet ajo.
Kjo ndodhi me Judith në mes të sallës së operacionit, por ngacmimi seksual dhe abuzimi seksual shtrihet përtej spitalit. Një prej personave të tjerë të prekur që pranuan të flisnin për BBC është Anne.
Ngjarja ndodhi kur ajo ishte një praktikante dhe ai ishte konsulent, ndërsa ndodheshin në një konferencë mjekësore. Sipas BBC, ai luajti me besimin e saj duke thënë se ajo nuk i njihte njerëzit e tjerë atje dhe se nuk mund t’u besonte atyre.
“Unë mendova se ai donte të flisja dhe megjithatë ai papritmas u kthye kundër meje dhe bëri seks me mua. Trupi im ngriu dhe unë mund ta ndaloja atë. Nuk është ajo që doja, nuk kishte qenë kurrë ajo që doja, ishte krejtësisht e papritur.”
Kur e pa atë të nesërmen, ajo “mezi e mbajti veten”. Raporti, i cili po publikohet në British Journal of Surgery, është përpjekja e parë për të kuptuar gjendjen.
Kirurgët e regjistruar burra dhe gra u ftuan të merrnin pjesë në mënyrë krejtësisht anonime dhe 1,434 u përgjigjën. Gjysma ishin gra.
Bazuar në përgjigjet e tyre, rezultoi se 63% e grave kishin qenë objektiv i ngacmimeve seksuale nga kolegët; 30% e grave ishin sulmuar seksualisht nga një koleg; 11% e grave raportuan kontakte fizike të detyruara për shkak të karrierës; të paktën 11 raste përdhunimi janë raportuar dhe 90% e femrave dhe 81% e meshkujve ishin dëshmitarë të ngacmimeve seksuale.
“Gjetjet tona mund të tronditin besimin e publikut në profesionin e kirurgjisë”, tha Dr Christopher Begeny, nga Universiteti i Exeter.
Tim Mitchell, presidenti i Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve të Anglisë tha për BBC-në se gjetjet e sondazhit janë “thellësisht tronditëse.” Duke folur për programin BBC Radio 4 Today, ai pranoi se është “e qartë se është një problem i zakonshëm” që nuk është adresuar.
Por a është salla e operacionit një vend i sigurt për të punuar gratë sot?
“Jo gjithmonë. Dhe kjo është një gjë e tmerrshme që duhet pranuar”, thotë Judith.
/abcnews.al