Nga Ulqini në Shkodër, familjet ulqinake jetojnë me dashurinë për detin

schedule22:52 - 14 Mars, 2020

schedule 22:52 - 14 Mars, 2020

Qyteti i ulqinakëve ka nxjerrë familje të mëdha, të cilat kanë pasur disa kapitenë anijesh ndër breza. Disa jetojnë në Ulqin, në Malin e Zi, disa në Shkodër apo Durrës në Shqipëri. Duke ndjekur vijën bregdetare të Adriatikut, ekipi i Abc News ka shkuar tek familjet ulqinake te Hajro Nimanbegut në Ulqin dhe Ahmet Shurdhës në Shkodër.

Ulqini që njihej në Iliri me emrin Ulkin ndërsa në gjuhën latine  Olcinium, ndodhet në pjesën jugore të Malit të Zi pranë Detit Adriatik.  Është një nga qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut. Qyteti i ulqinakëve ka nxjerrë familje të mëdha, të cilat kanë pasur dhe disa ende vazhdojnë të ruajnë traditën e lidhjes me detin, duke pasur ende barkat e tyre. Këto familje kanë nxjerrë disa kapitenë anijësh ndër breza. Disa jetojnë në Ulqin, në Malin e Zi, disa në Shkodër apo Durrës në Shqipëri.

Duke ndjekur vijën bregdetare të Adriatikut, shkojmë tek familja e Hajro Nimanbegut në Ulqin dhe në kthim, tek familja e Ahmet Shurdhës në Shkodër. Familja e Hajro Nimanbegut ka nxjerrë 7 kapitenë anijësh në breza të ndryshëm dhe jeton në në kalanë e Ulqinit. Kalaja me disa shtresëzime qëndron mbi det dhe është nga më të rrallat që vazhdon të banohet sot e kësaj dite nga ulqinakët. Hajro na prêt në shtëpi, në një nga rrugicat e kalasë, të cilën duhet ta ngjisësh me kujdes dhe ta zbresësh edhe me më shumë kujdes për të mos u rrëzuar në pjerrësinë e saj.

Hajro ka një shpjegim të vecantë se pse nuk ka më detarë ulqinakë sic kishte dikur dhe sic ka qenë tradita.  Gruaja e tij Melihatja e miraton shpjegimin në mënyrën e saj.

Nipi dhe mbesa e Hajros kanë shpjegimet e tyre për detin dhe legjendat që lidhen me të. Djali i Hajros, Genc Nimanbegu është nënkryetar i parlamentit të Malit të Zi. Por sot nuk do të flasim për politikë, por për detin, anijet dhe ulqinakët.

Genci thotë se një nga gjërat që duhet bërë është që lumi Buna të bëhet përsëri i lundrueshëm sic ka qenë dikur.

Largohemi nga ulqinakët e Ulqinit për të shkuar drejt ulqinakëve të Shkodrës, aty ku banon një komunitet që ka ruajtur ende të fortë ndjesinë e qytetit nga kanë ardhur dhe sigurisht lidhjen me detin dhe anijet. Tek familja e Ahmet Shurdhës shkojmë me Petritin, një ulqinak tjetër nga Shkodra, që ka gjithashtu historinë e tij. Të parët e tij dhe të parët e Ahmet Shurdhës ua patën shitur anijet dy palëve ndërluftuese në luftën e parë botërore.

Ahmet Shurdha, tek të 70-tat na prêt në një nga lagjet e Shkodrës në një shtëpi të vjetër shkodrane të sapo-restauruar. Ahmeti ka 12 vjet që kujdeset vetë për gruan e tij Mira që ka probleme shëndetsore. Të dy e duan Ulqinin.

Ahmeti ruan dokumenta të vjetra që tregojnë dhe provojnë historinë e familjes së tij dhe lidhjen me detarinë.

Largohemi nga familja e Ahmet Shurdhës që ngul këmbë të na përcjellë deri tek porta sepse kështu e do zakoni. Kemi lënë pas dy familje ulqinakësh, Nimanbegët dhe Shurdhat, një në Ulqin dhe një në Shkodër, të cilët I bashkon jo vetëm qyteti I bukur mbi Adriatik, por edhe detaria, anijet dhe dashuria për detin e kthjellët blu që të josh për tu kthyer gjithmonë, edhe nëse kanë kaluar 100 e ca vjet që nga koha kur e ke lënë pas. /abcnews.al