Nga Tirana në Shkodër, dhjetëra protestues shoqërohen në komisariat

schedule19:18 - 10 Mars, 2022

schedule 19:18 - 10 Mars, 2022

Dhjetëra protestues janë shoqëruar në polici për bllokimin e rrugës në Durrës, pasi protestuan për rritjen e çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore. Ndërkohë protestues të tjerë janë nisur drejt komisariatit për të kërkuar lirimin e tyre.

“Lironi vëllezërit tanë”, është thirrja e tyre.

Gjithashtu abcnews.al mëson se është shoqëruar në polici një nga organizatorët e protestës në Shkodër. Bëhet fjalë për Mirsad Bashën.
Po ashtu shoqërimet në komisariat kanë nisur edhe në Tiranë, ndërsa protestuesit janë larguar.

Pasditen e sotme janë organizuar protesta kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore në disa qytete të vendit tonë, siç është Tirana, Durrësi, Miloti, Shkodra, Saranda.

Ndërkohë më herët kryeministri i vendit, Edi Rama  ju është përgjigjur LIVE qytetarëve pas shqetësimeve të shumta që sollën rritjet galoponte të çmimeve të naftës dhe produkteve, çka sollën edhe protesta në të gjithë vendin gjatë ditës së enjte.

Rama në një përgjigje të dhënë qytetarit sqaroi deklaratën e tij ku bënte thirrje për të lëvizur në këmbë.

Ai tha se sot jemi në një situatë lufte dhe të gjithë duhet të kursejmë, pasi do të vijë momenti kur nuk do të ketë as naftë dhe as energji në treg edhe po të duam të blejmë, për shkak të situatës së luftës që po ndodh në Ukrainë, e cila ndikon direkt në faturat në të gjithë botën.

‘Ju thashë ecni në këmbë jo se dua unë por për të kursyer, pasi jemi në luftë, do vijë momenti që nuk do ketë energji as naftë edhe po të duam ne ta blejmë. Duhet të përgatitemi për të gjitha se lufta nuk vjen për të mira por për të sjellë dhimbje. Kjo që ndodh sot është pasojë e asaj lufte’, u shpreh Rama