Nga Esiona Konomi
Mëngjesin e 8 janarit kjo godinë nuk ishte më një seli, por një fortesë që pas pak orësh u kthye në skenë krimi. Lulzim Basha ishte strehuar brenda, me dyer të blinduara e një grusht djemsh me muskuj, për të mos ju dorëzuar pushtimit të babait të tij politik.
Ky koleksion dhune u konsiderua si pika e vdekjes së Sali Berishës. Por në 6 mars, presidenti Ilir Meta i dha oksigjen, duke dekretuar zgjedhje të pjesshme lokale.
Në to, Sali Berisha ja doli të mundë Ramën vetëm në Shkodrë, ndërsa Bashën e mundi në të gjitha bashkitë ku pati zgjedhje.
I lënë vetëm thuajse nga të gjithë, pa asnjë fije ku të kapej, pasi kishte humbur 4 palë zgjedhje në krye të PD-së, Lulzim Basha dha dorëheqjen, të cilën e shoqëroi me këtë deklaratë epike.
“Muk kam humbur asnjë garë në jetën time.”
Pasi Basha iku në shtëpi, Berisha mori selinë blu, ndërsa beteja gjyqësore për vulën dhe firmën e Partisë Demokratike vazhdon ende dyerve të gjykatave.
Teksa demokratët u ndanë e u përçanë, socialistët zgjodhën një President të ri Republike.
Ilir Meta u rikthye në parti, duke i veshur LSI-së kostumin e “Partisë së Lirisë” dhe shpejtoi të nxjerrë në sipërfaqe bashkëpunimin e konsoliduar me Sali Berishën.
Por vera solli një tjetër goditje për Sali Berishën. Ai u shpall “non grata” edhe nga Anglia.
Kur opozitarëve ju dilte tymi dhe ju humbte busulla, Edi Rama vijoi të forconte pushtetin e tij.
Ai mori në korrik një dhuratë të mohuar e të vonuar nga Bashkimi Evropian. Shqipëria hapi zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.
Por ky lajm i mirë u pasua nga një goditje e rëndë e sistemeve tona online nga hakerat iranianë. Ata morën dokumente sensitive dhe i publikuan ato, por qeveria me ndihmën e amerikanëve rimori nën kontroll bazën digjitale të shtetit.
Kundërpërgjigjja ishte e fortë.
Vendime të guximshme u morën edhe në politikën e brendshme, edhe kur ato shkaktuan dallgë akuzash për korrupsion dhe klientelizëm. Kuvendi miratoi një marrëveshje 2 miliardë euro investim të arabit Alabbar për Portin e ri të Durrësit, duke shënuar projektin më ambicioz të huaj nën qeverisjen socialiste.
Qeveria e mbylli vitin me një gosti ndërkombëtare. Edi Rama priti në Tiranë të gjithë liderët e Bashkimit Evropian në samitin me Ballkanin Perëndimor.
E njëjta ditë, shënoi një ngjarje të paprecedentë në radhët e opozitës.
Miti i të paprekshmit u shemb, ndërsa Krishtlindjet e gjetën liderin historik të demokratëve, të fshehur poshtë syzeve, me damkën e njeriut që këtë vit shëtiti mes dhunës.
/Abcnews.al/