Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga Stambolli në kufijtë e luftës: Çifti shqiptar rrëfen udhëtimin plot aventura në Lindjen e Mesme

schedule14:53 - 3 Tetor, 2025

schedule 14:53 - 3 Tetor, 2025

Një udhëtim që nisi si një pushim i shkurtër në Stamboll, u kthye në një aventurë dy mujore nëpër Lindjen e Mesme për çiftin Mariglena Bishani dhe Gent Jakupi, të cilët ishin të ftuar sot në emisionin “ABC e Mëngjesit” për të ndarë përvojën e tyre të jashtëzakonshme.

“Bashkëshorti im është më aventurier, unë e ndjek kudo që ai shkon,” – rrëfen Mariglena me humor, duke treguar se gjithçka nisi kur Gentit i lindi dëshira të takonte disa miq të tij në Kurdistan. Nga aty, rrugëtimi mori një kthesë të papritur që i çoi përmes qyteteve si Mosul, kufiri me Sirinë, Jordania, Izraeli dhe për pak fare, edhe në Egjipt.

“Në Mosul pamë një vend që po rilindte pas luftës, me njerëz shumë të mirë, të dashur dhe të kulturuar,” tha Gent Jakupi. Çifti udhëtoi me rulot, duke ndalur në zona që shumë vetë do t’i shmangnin për shkak të pasigurive.

Një nga momentet më tronditëse të udhëtimit ishte takimi me njerëz të lidhur me grupin terrorist ISIS, për të cilët çifti tregoi: “Ishte e pabesueshme; nuk na prekën fare, ishin të kulturuar dhe e kuptonin që ishim turistë. Nuk patëm frikë nga ata, por e kuptonim seriozitetin e vendit ku ndodheshim.”

Gjurmët e luftës ishin të dukshme. Në kufirin me Sirinë, Mariglena rrëfen: “Ishte hera e parë që pamë ushtarë që niseshin drejt frontit. Kishim frikë, por donim të shihnim me sytë tanë realitetin e asaj ane të botës.”

Nga vendet që i lanë më shumë mbresa, ata veçuan Jordaninë, për pastërtinë dhe bukurinë e saj, ndërsa qëndruan më pak në Izrael, për shkak të dinamikave politike dhe tensioneve në zonë. U përpoqën të kalonin në Egjipt, por u penguan për shkak të llojit të karburantit në rulotin e tyre.

Ky udhëtim, që filloi si një ekskursion i thjeshtë, u kthye në një eksperiencë që ndryshon jetën – me njohje të reja, rreziqe të papritura dhe një përballje të drejtpërdrejtë me realitete që shumica i shohin vetëm në lajme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!