Nga sot asnjë pikë bastesh apo lojërash fati në Shqipëri

schedule12:59 - 1 Janar, 2019

schedule 12:59 - 1 Janar, 2019

Që me nisjen e vitit 2019 hyri në fuqi dhe ligji për mbylljen e basteve sportive dhe lojërave të fatit. Nga sot ky aktivitet është i paligjshëm dhe në rast se do të ketë kompani që e ushtrojnë atë do të përballen me penalitetet që parashikon ligji.

Pikat e basteve sportive dhe kazinotë elektronike, në të gjithë vendi nga e marta e 1 Janarit cilësohen aktivitete të paligshme.

Vendimi i qeverisë për të mbyllur më 31 Dhjetor 2018, në të gjithë territorin e Shqipërisë, kazinotë elektronike, bastet sportive, sallat e bingove, bastet online, bastet me gara në pistë, u miratua në fund të muajit Tetor.

Pati nga ato kompani që operuan në tregun e basteve deri në përfundim të këtij afati. Ndërsa shumë prej kompanive të basteve përgjatë ditëve të fundit hoqën tabelat e reklamat e shumta të llotove që dikur i hasje ngado në qytet dhe në vend të tyre lexon njoftime: “Jepet me qira”.

Nga të dhënat zyrtare, bastet sportive që u mbyllen janë afërsisht 5000, ndërsa disa nga investitorët e tyre e shikojnë si mundësi të vijimit të aktivitetit në vendet fqinj si Kosova apo Maqedonia.

Sipas specialistëve të fushës, varësia nga bixhozi dhe lojërat e fatit ka rrënuar ekonomikisht mjaft familje në Shqipëri. Ato vlerësojnë se kjo ka krijuar një plagë sociale për shkak të pasojave të rënda që sjell varësia, duke varfëruar çdo ditë e më shumë shtresat në nevojë.

Nga ana tjetër, qeveria ka parashikuar që të papunët e basteve do trajtohen me kurse rikualifikimi, në mënyrë që ata të kualifikohen dhe të gjejnë një mundësi tjetër punësimi.

Ndërkohë që nga 1 Janari 2019 nisë funksionimi i skuadrës dixhitale për mbylljen e të gjitha faqeve të basteve online jashtë vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!