“Nga programi i kodimit, përfituan 1200 të rinj”, Muzhaqi: Kurse pa pagesë në Tumo. Ja cilat mosha përfitojnë

schedule18:35 - 25 Janar, 2024

schedule 18:35 - 25 Janar, 2024

Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksoi se në një vit nga hapja e programit të kodimit, kanë përfituar 1200 të rinj, 600 prej të cilëve janë punësuar. Në një intervistë për “Special Report”, nga një aktivitet për të rinjtë, Muzhaqi theksoi se fokusi ka qenë integrimi i tyre në tregun e punës.

“Ka qenë mundësia për të formuar të rinjtë në këtë fushë të teknologjisë që është e ardhmja. Ne kuptuam se nëse do të ndiqnim metodat tradicionale të arsimit, do të donte shumë kohë për të krijuar programuesit që i duheshin tregut. Menduam se si mund ta bëjmë më shpejt, dhe për të kualifikuar dhe rikualifikuar të rinjtë por jo vetëm. Prandaj krijuam një program që është i hapur për të rinjtë nga 16 vjeç e sipër, ku qeveria jeo një mbështetje me një subvencion për çdo pjesëmarrës deri në 50 përqind të vlerës së kursit dhe për ata që janë të papunë 100 përqind të vlerës së kursit. Aplikimi është i thjeshtë. Në e -Albania, aplikim për kurs formimi profesional me mbështetje financiare dhe brenda 10 minutash mund të bëhen pjesë e këtij programi.

Fokusi ka qenë edhe pjesa e punësimit dhe angazhimi në tregun e punës siç ka qenë edhe plotësimi i boshllëkut që ka pasur për programues. Tani pas një viti kemi mbi 1200 përfitues nga ky program, 600 prej tyre kanë përfunduar kurset dhe kanë filluar të punësohen. Disa kanë qenë të punësuar dhe po rrisin nivelin e pagës. Do t’i ndjekim vazhdimisht sepse fokusi nuk është vetëm trajnimi por edhe integrimi në tregun e punës me paga të denja.“, u shpreh ministrja.

Duke u ndalur tek programi Tumo, ministrja shtoi se risi është që moshat nga 12-18 vjeç mund ta përfitojnë falas.

“Tumo ka eksperincë 3 vjeçare por risia është se për moshat 12-18 vjeç, që duan të bëhen pjesë, mund ta bëjnë pa pagesë. Fëmijët mësojnë disiplina të ndryshme, dhe pasi i provojnë që nga animacioni, zhvillimi i lojërave, dizajni grafik etj, zgjedhin 4 më të preferuarat dhe i ndjek tre kurse të ndryshme. Dhe në fund të kurseve bëhet edhe i punësueshëm. Është një mbështetje jo vtm nga qeveria por edhe nga ADF. Falas, është një mundësi shumë e mirë që duhet ta shfrytëzojë çdo prind.“, shtoi ministrja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!