Nga nesër me detyrim, çfarë ndodh nëse kapeni pa maskë dhe refuzoni të jepni kartën ID?

schedule19:58 - 14 Tetor, 2020

schedule 19:58 - 14 Tetor, 2020

Duke filluar nga nesër të gjithë qytetarët do duhet që mbajnë maskë jo vetëm në ambientet e brendshme, por edhe në ato të hapura.

Të enjten hyn në fuqi akti normativ, që sot u botua në Fletoren Zyrtare për vendosjen me detyrim të maskës. Kjo e fundit duhet vënë sapo dilni nga dera e shtëpisë, me përjashtim të disa kategorive dhe vendeve, si në lokale dhe restorante.

Personat që nesër do të kapen pa maskë do të gjobiten 3 mijë lekë, ndërsa nëse e përsërisin masa administrative shkon 5 mijë lekë.

Por, çfarë ndodh nëse ju nesër kapeni nga policia pa maskë dhe pa mjet identifikimi me vete?

Mësohet se grupet e kontrollit kanë marrë urdhër që personave që konstatohen pa maskë do u kërkohet një mjet identifikimi si fillim. Nëse nuk pranoni që ta dorëzoni mjetin e identifikimit apo nuk e keni me vete, atëherë sipas procedurës që do të ndiqet, ju do të shoqëroheni për në komisariat.

Sa i përket gjobës, në aktin normativ theksohet se gjoba për shkelësit do të shkojë te fatura e dritave, por në këtë pikë ka shumë probleme që lindin, pasi shumë individë nuk kanë kontratë me OSHEE-në, pasi jetojnë me qira.

Për të detajuar gjithçka, në aktin normativ thuhet se do të ketë një udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për energjinë, ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Ndërkohë, kujtojmë se drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fiço publikoi sot masat për vendosjen e maskës mbrojtëse në ambientet e hapura, e cila nga nesër do të jetë me detyrim.

Fiço theksoi se maska do të jetë e detyrueshme për të gjithë personat mbi 11-vjeç gjatë qëndrimit jashtë shtëpisë.

Ndërsa do të lejohen të lëvizin pa maskë ata që dalin nga shtëpia për aktivitet sportiv (vrap), ata që udhëtojnë vetëm me makinë, motoçikletë apo biçikletë, punonjësit që punojnë në ambiente të jashtme duke pasur distancë nga të tjerë si dhe studio televizive kur ruhet distanca.

Të përjashtuar nga kjo masë do të jenë edhe personat me probleme shëndetësore që kanë një rekomandim nga mjeku. s.b/abcnews.al/