Socialistët janë të tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino i cili humbi betejën 2-javore me COVID.
Ish-kryeministri Pandeli Majko e kujton atë si kryeministër të vitit të vështirë 1997, duke theksuar se ai do t’i mungojë të gjithëve. “Bashkim Fino ka ndërruar jetë. Kryeministri socialist i “Pajtimit” të vitit 1997 nuk do jetë midis nesh! Do na mungosh mik! U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes!”, shkruan Majko.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ka cilësuar këtë lajm të trishtë duke e quajtur Finon një babaxhan të mirë dhe një socialist të çmuar. “Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur”, shkruan Veliaj.
Deputeti Socialist Damian Gjiknuri thotë se ndarja nga jeta e Finos është një humbje që krijon boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët e tij.
“Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme!
Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar!”, shkruan Gjiknuri.
Edhe deputetja socialiste Mimi Kodheli ka prekur me fjalët për Finon duke zbuluar një foto të vjetër kur ata të dy kanë qenë shokë fakulteti.
“Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira!”, shkruan Kodheli.
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu i ka shprehur ngushëllime familjes. “Sa dhimbje kete mengjes me lajmin e hidhur te vdekjes se mikut tone te mire Bashkim Fino! Ngushellime familjes!”, shkruan Ndreu.
Kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi se pas ndarjes nga jeta të Bashkim Finos, në familjen socialiste është një ditë zie, dhe pavarësisht se jemi në periudhë fushate, të gjithë aktivitetet elektorale të PS, sot do të ndalohen.
Bashkim Fino humbi betejën me COVID pasi qëndroi 2 javë i shtruar në spital. Ai mbante postin e deputetit të PS në Kuvendin e Shqipërisë ndërsa më herët ka qenë ish-kryeministër i vendit.
/mv.abcnews.al