Nga merkato te krahasimet me Levan e Haaland, rrëfehet Vlahovic: Dua Scudetton me Juven dhe 30 gola

schedule12:00 - 27 Korrik, 2022

schedule 12:00 - 27 Korrik, 2022

Disa thonë Paul Pogba, disa të tjerë Angel Di Maria dhe të tjerë Federico Chiesa, por lojtari që mund të vendosë fatet e Juventusit mund të jetë Dusan Vlahovic.

Serbi, i cili zbarkoi në Torino janarin e kaluar, premton 30 gola për “Zonjën e Vjetër”, teksa në një intervistë për “Gazzeta dello Sport” ka folur edhe për objektivat e vetë personale dhe transferimet gjatë merkatos së verës.

“Golat e ekipit janë para atyre personale, është më e rëndësishme që Juve të fitojë, por nëse shënoj 30 gola dhe bëhemi kampionë të Italisë për mua kjo është më e mira”, do të theksonte fillimisht Vlahovic.

Ish-sulmuesi i Fiorentinës tregon ndër të tjera që fëmijë ka ndjekur Juventusin, pasi sipas tij skuadrat që fitonin mbaheshin mend.

“Si fëmijë në Serbi kemi ndjekur shumë futbollin italian, në vitet e arta të Serisë A. Folëm për Juventusin, sepse fitonte gjithmonë dhe në sport kujtohet vetëm kush fiton.

Isha fëmijë kur më bëri përshtypje Juventusi i Ibrahimovic, Trezeguet dhe Cannavaro. Jam rritur me synimin për t’u bërë fitues dhe do të bëj gjithçka për të bërë historinë e Juventusit.

Do të ishte një nder i madh duke pasur parasysh lojtarët që kanë arritur këtu. Kjo është arsyeja pse fillova të luaj, dua ta shtyj veten përtej kufijve të mi”, do të nënvizonte 22-vjeçari.

Jo vetëm përforcimet mbërritën nga merkato, por edhe burra në dhomat e zhveshjes, Vlahovic do të thoshte edhe mendimin e tij për transferimet e reja që kanë mbërritur në “Allianz Stadium” gjatë kësaj periudhe.

Paul Pogba? Më pëlqen shumë si lojtarë. E kam njohur vetëm nga TV, ka një ndikim të madh në skuadër. Ai është një kampion bote që ka fituar shumë gjatë viteve te Juve, përveç Europa League me Manchester United. Është bukur ta kemi me ne”.

Angel Di Maria? “Kur dëgjova se po vinte, menjëherë mendova se sa gola dhe asistime mund t’i bëjmë së bashku. Angel ka luajtur në nivele shumë të lartë për një kohë të gjatë, është një nga futbollistët më të fortë të 20 viteve të fundit dhe ka bërë shumë mirë kudo ku ka shkuar. Deri para pak kohësh këta kampionë i kam parë në televizor, të luaja me ta ishte synimi im kur isha fëmijë. Me Di Marian duhet të njihemi dhe të kuptojmë njëri-tjetrin, por jam i sigurt se nuk do ta kemi të vështirë. Ai ka luajtur me sulmues të mëdhenj, më duhet mua ta pyes se si duhet të lëviz për t’u gjetur”.

Gleison Bremer? “Kënaqësi e madhe ta kesh atë në skuadër,  është mbrojtësi më i fortë në Serie A. Pas një sezoni në të cilin ne nuk kemi fituar asgjë, detyra jonë është të kemi synimin për të fituar gjithçka”.

Krahasimi me Robert Lewandowskin? “Lewandowski ka bërë një ortek golash, nuk më pëlqen ta krahasoj veten me askënd. Jam vetëm në fillim, mund të punoj me shpresën se do t’i arrij ato. Qëllimi im është të shënoj gjithnjë e më shumë gola”.

Erling Haaland?Ka dallime mes nesh, por gjykimet ua lë të tjerëve.” 

/f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!