Nga më modernet, çfarë ndodh me armët e sekuestruara nga policia?

schedule13:50 - 7 Prill, 2022

schedule 13:50 - 7 Prill, 2022

Një ndër aktivitetet e shpeshta të Policisë së Kosovës është konfiskimi i armëve dhe municionit. Gazeta Express raportoi për një bastisje që ka kryer policia në një shtëpi në Prevallë të mërkurën, ku u kap sasi e konsiderushme armësh dhe municioni. Por, çfarë ndodh me armët e konfiskuara? Këtë çështje e shpjegon ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, në një bisedë për Gazetën Express.

Gazeta Express ka pyetur Policinë e Kosovës se sa është numri i armëve dhe municionit të konfiskuar viteve të fundit dhe në bazë të statistikave të dërguara del të jetë goxha shifër e madhe. Mbi 1 mijë e 200 armë janë konfiskuar në vitin 2021 dhe mbi 42 mijë copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

“Gjatë vitit 2020 janë konfiskuar 1135 armë të ndryshme dhe 32 747 copë fishekë kalibrash të ndryshëm, kurse në vitin 2021 janë konfiskuar 1280 armë të ndryshme dhe 42 031 copë fishekë kalibrash të ndryshëm”, tha Policia për Gazetën Express.

Ndërsa, policia nuk e ka zbuluar shifrën e armëve të konfiskuara brenda këtij viti.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se armët e konfiskuara fillimisht deponohen në dhomat e dëshmive dhe kur prokurori e harton aktakuzën për të dyshuarit për gjykatë i përdorë edhe këto armë si dëshmi.

Qalaj thekson se pasi gjykata merr vendim të formës së prerë, policia kërkon shkatërrimin e armëve. Më pas gjykata merr vendim dhe i shkatërron ato në vende të destinuara për këtë çështje.

“Fillimisht armët e konfiskuara deponohen në zyrat e destinuara për këtë çështje (dhomat e evidencave apo deshmive). Të gjitha ato armë evidentohen edhe në kallëzimin penal që e harton Policia dhe që ia dërgon prokurorit. Nëse dyshohet se ato armë janë përdorur (nëse është shtirë me ato armë atëher kërkohet egzaminimi i tyre nga laboratori i Forenzikes). Prokurori kur  ta harton aktakuzën për të dyshuarit për gjykatë i përdorë edhe këto armë si dëshmi. Pasi që gjykata të marre vendimin final dhe ky vendim është vendim i formës së prerë atëherë Policia nëpermjet prokurorit bënë kërkesë në gjykatë për shkatërrim dhe pasi ta merrë vendimin nga gjykata për shkatërrim i shkatërron ato në vendet e destinuara për këtë çështje”, tha Qalaj për Gazeten Express.

Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Prevallë personin me inicialet K.K., dhe te i njëjti ka gjetur dhe konfiskuar tre AK-47, një pushkë e gjatë, një pushkë gjuetie, 430 fishek, 8 gëzhoja, 8 karikator, 8 radiolidhje, një anti-plumb, një thikë dhe disa pajisje të ndryshme.

Rasti në polici është hapur si “Importi, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, teksa ky rast me vendim të prokurorit ka kaluar në procedurë të rregullt ka njoftuar policia në raportin e saj 24-orësh.

Më poshtë mund të shihni pamje nga armët e konfiskuara dje në Prevallë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!