Edhe plani më i detajuar dhe i organizuar ndodh që dështon. Ndodh që edhe vrasësi më profesionist, të mos e realizojë krimin, për të cilin është paguar. Në rastin më të keq e me fatal, ndodh që një plan sado i studiuar mire, t’i marrë jetën një të pafajshmi. Herë rastësisht e herë gabimisht. Në emisionin ‘Gjërat tonat’, gazetarja Etleva Delia, risolli në vëmendje përplasjet e forta mes bandave kriminale, ku në shumë prej tyre kanë humbur jetën qytetarë të pafajshëm. Vrasja e një qytetari të pafajshëm herë është dëmi anësor i një sulmi të armatosur e herë një lajthitje në objektiv. Por ajo që ndodhi të dielën pas mesnate, me sulmin kundër medias kombëtare “Top Channel”, konsiderohet padyshim si një prej rasteve më të rënda të cënimit të sigurisë.
Pal Kola, roja i sigurisë që u godit nga një prej 26 plumbave që sharruan fasadën e godinës së televizionit dhe automjetet e parkuara, është viktima e dytë në harkun kohor të dy javëve që vritet pa faj. Më 12 mars një fund të ngjashëm tragjik pati edhe banakierja Mimoza Paja, që u gjend mes breshërisë së plumbave në lokalin ku ajo punonte në “Don Bosko”.
Dy ngjarje që duken thuajse identike nga mënyra si është vepruar. Makina që afrohen, dy persona që qëllojnë nga dy armë atumatike, kallashnikovë, pothuajse sasi e njëjtë plumbash e në fund makina që gjenden të djegura bashkë me armët brenda. E përbashkëta tjetër, të dyja pa autor.
Ngjarje të tilla janë fatkeqësisht kanë qenë dhe janë një realitet, që nuk i dihet fillimi, por as fundi jo e jo. Janë ngjarje që shënuan kulmin në vitin 1997, atëherë kur gjithçka doli jashtë kontrollit. Atëherë kur bandat kontrollonin rrugë, lagje e madje edhe qytete. E që duket se ato ngjarje që po ndodhi sot, në një farë mënyrë janë pasojë e atij viti. Asaj periudhe që çarmatosi shtetin e armatosi popullin. Armë që edhe sot gjenden në duart e krimit e përdoren në shumicën ngjarje kriminale.
Gjatë 15 vjetëve të fundit dhjetëra qytetarë të pafajshëm kanë humbur jetën vetëm pse janë gjendur në kohën dhe vendin e gabuar. Disa të tjerë edhe pa ndonjë arsye, siç ndodhte në Beratin e viteve ’97-’98, ku njerëzit qëlloheshin duke u marrë në shenjë. E disa të tjerë u vranë vetëm prej ngjashmërisë me objektivin e një vrasësi me pagesë.
Le ta nisim me ngjarjen e fundit. Vrasjen e 61-vjeçarit Pal Kola, rojës së sigurisë së Top Channel e më tej edhe me ngjarje të tjera të ndodhura ndër vite.
27 Mars 2023
Sulmohet me breshëri automatiku Top Channel
Më datë 27 mars, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç. Ai është qëlluar nga një plumb, që mendohej të ketë qenë rikoshetë, kur ndodhej brenda kabinës së rojës.
Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se, në orën 00:27 të datës 27 mars, automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.
Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, aty kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë së Tiranës, si dhe janë organizuar pika kontrolli në të gjitha akset rrugore të vendit. Është formuar grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranë dhe janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit.
Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përrreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.
Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër.
Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10 korrik 2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit AA 456 HC, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31 dhjetor 2022, në qytetin e Tiranës.
Viktima kishte filluar punë si punonjës sigurie para 6 muajsh. Pal Kola, me origjinë nga Puka, jetonte me familjen në zonën e Sharrës në Tiranë. Ndërsa ishte baba i tre fëmijëve.
12 Mars 2023
Vritet banakieria në sulmin me armë në Don Bosko
Më 12 mars, në orën 21:05, dy persona qëllouan me breshëri automatiku në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit në “Don Bosko”, duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe. Gjashtë persona të tjerë mbëtën të plagosur, mes tyre edhe mbesa 10-vjeçare e viktimës që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosur mbetën: Sahit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shaholli.
Vëllai, xhaxhai dhe djali i xhaxhait të Fatjon Muratit kanë qenë në lokal, në një tavolinë bashkë me personat e tjerë që u plagosën. Të gjithë të afërm me njëri-tjetrin.
Viktima, Mimoza Paja, kishte filluar punë si banakiere 10 ditë para ngjarjes. Ajo jetonte me qira bashkë me djalin dhe mbante edhe mbesën 10 vjeçe, e cila u plagos lehtë nga ciflat e xhamave. Policia e Tiranës, në një njoftim zyrtar, shpjegoi edhe dinamikën e ngjarjes:
Autorët janë afruar me automjetin tip BMVV, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit Fatjon Murati.
Dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj, autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Spitalit të Traumës. Kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.
Atentati që kishte në shënjestër Fatjon Muratin dhe njerëzit e tij, ktheu vëmendjen e Policisë tek vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës. Aty ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Rishfaqi pas shumë kohësh përplasjen mes grupeve kriminale. E bashkë me të duket se është rishfaqur edhe hija e Ervis Martinajt, që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit të kaluar.
4 Janar 2022
Vrasësit ngatërrojnë objektiv, qëllojnë një të pafajshëm
Pasditen e 4 janarit 2022, 35-vjeçari Erion Çela po pinte kafe me vëllain e tij dhe disa të afërm, kur breshëritë e kallashnikovit e lanë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë.
Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç. Personat e tjerë të plagosur ishin Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç.
Pasi kanë qëlluar, atentatorët, janë larguar me një makinë tip Mercedes Benz me targa AA 125 UK. Kur kaluan 9 muaj nga ajo ngjarje, Policia e Tiranës njoftoi se Erion Çela nuk kishte bërë asnjë faj dhe se autorët kishin ngatërruar objektiv duke qëlluar ndaj disa personave që nuk kishin lidhje me problemet e tyre.
Pas një aksioni të madh që çoi në arrestimin e 14 personave, Policia tha se dy prej tyre, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirian Feçi, për llogari të shtetasit Kasandër Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës.
Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Ata kishin planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi kishin informacione se personi që do të eleminonin frekuentonte një lokal në atë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit Gentian dhe Indrit Beqiraj nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje. Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë u vra Erion Çela.
Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevin Zeneli, i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, Indrit dhe Gentian Beqiraj për t’u larguar jashtë shtetit.
Vëllezërit Beqiraj kanë rrëfyer për hetuesit se vrasja e Çelës ka ardhur pasi drejtuesit e grupit kriminal ku ata bëjnë pjesë, kishin dhënë urdhër për ekzekutimin e vëllait të Erion Hasanbelliut, Geronit. Sipas tyre porosia e vrasjes është dhënë nga Kasandër Noga. Ky i fundit është në hasmëri prej vitesh me Erion Hasanbelliun. Në qershor të vitit 2022, Kasandër Noga u arrestua në Vjenë, pasi akuzohej për atentatin ndaj armikut të tij të Erion Hasanbelliut po në këtë muaj në Bruksel. Noga i bëri atentat Erion Hasanbelliut në Belgjikë, me të cilin ishte në hasmëri prej 20 vitesh, pasi i kishte vrarë të atin. Pak kohë më vonë Hasanbelliu me të vëllanë e tij, i bënë atentat Nogës në Belgjikë ku mbeti i vrarë miku i tij Julian Çela.
27 qershor 2021
Kamarieri vritet gabimisht në ditën e parë të punës
Më 27 qershor të vitit 2021, vriten 4 persona në një prej lokaleve në zonën e plazhit, në Velipojë. Një nga katër viktimat e asaj masakre ishte një 20-vjeçar që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin e lindur mes pronarëve të dy bizneseve, që u përplasën me armë.
Ishte dita e tij e parë e punës si kamarier në biznesin e vëllezërve Gocaj, që po ashtu mbetën të vrarë. Musaen Zeneli, nga lagjja “Bahçallëk” e Shkodrës, ishte më i vogli i familjes së tij. Në dhjetor mbushte 20 vjeç e ndonëse ishte me probleme shëndetësore, kishte vensosur të punonte, për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij prej tre anëtarësh. I atij, Enveri, kishte humbur jetën vite më parë në lumin Drin, ku kishte hyrë për t’u larë e që nga ajo kohë, Musaeni, apo siç i thërrisnin në Shkodër, “jetimi” jetonte me të ëmën dhe vëllain e tij 3 vjet më të madh, Erdisin.
I riu punonte në zonën e plazhit në Velipojë, në biznese të ndryshme. Së fundi kishte folur me vëllezërit Gocaj për t’i gjetur punë dhe kishte filluar. E shtuna e 27 qershorit ishte dita e parë e tij. Punën e mbylli pak pas mesnate, pa e ditur se nuk do të kthehej më në shtëpi, ku nuk mundi të çonte as rrogën e parë. Policia thoshte se kishte marrë një plumb në zemër. Në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë, asgjë më shumë.
Një përplasje me armë mes pronarëve të hotel “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”, në Velipojë, solli vrajen e 4 persona, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Viktimat ishin Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, vëllezërit Xhovan e Edmond Gocaj, 25 e 38 vjeç dhe Musaen Zeneli, 20 vjeç.
21 SHTATOR 2019
Atentat ndaj 28-vjeçarit në Nikël, vritet halla e tij
Më 21 shtator të vitit 2021, Marklen Haka, një i ri me shumë precedentë penalë, mbeti i plagosur në një atentat në derën e shtëpisë së tij në Nikël të Krujës. Por në këtë ngjarje mbeti e vrarë halla e tij, Shpresa Basha, 50 vjeçe. Pak momente para se në drejtim të tij të qëllohej më shumë se 100 herë, kushëriri e kishte lajmëruar për disa persona të dyshimtë që ndodheshin rrotull shtëpisë ku ai ndodhej. Policia ka marrë në pyetje të afërmin e 28-vjeçarit Marklen Haka, si një ndër dëshmitarët kryesorë të ngjarjes.
Ai ka deklaruar se ka qenë duke u kthyer në shtëpi dhe kur është afruar tek banesa ka parë disa persona që bënin lëvizje të dyshimta. Këtë informacion ai ia ka përcjellë Marklen Hakës sapo është futur në shtëpi. E megjithëse i ruhej një atentati të mundshëm, Haka ka nxituar të dalë jashtë për të parë se kush ishin këta person. Pas tij ka dalë edhe halla, 50-vjeçarja Shpresa Basha, e cila ka dashur të mbronte djalin e vëllait, pasi ishte në dijeni të problemeve që ai kishte. Ky ka qenë edhe momenti fatal, pasi të dy janë përballur me sulmin me armë zjarri, duke mbetur të plagosur. Haka arriti të shpëtojë me disa plagë të lehta, ndërsa halla e tij ndërroi jetë sapo mbërriti në spital. Kushëriri i Marklen Hakës ka deklaruar në Polici se nuk ka arritur t’i shohë fytyrat e personave të dyshuar, pasi në atë moment ka qenë errësirë.
Marklen Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu. Grupi hetimor pati dyshime se ngjarja kishte ndodhur për motive hakmarrjeje. Kur u pyet në ambientet e spitalit ai nuk dha ndonjë dëshmi të vlefshme për grupin hetimor. Duke qenë para kësaj situate, hetuesit u përqendruan tek precedentët e mëparshëm të tij, ngjarjet për të cilat ai ka qenë i dyshuar, që në fakt nuk i janë faktuar asnjëherë. Marklen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes. Ndërsa më vonë është ndaluar si i dyshuar për një atentat me eksploziv. Herën e fundit që ai provoi qelinë, u akuzua për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 1 vit heqje lire.
27 maj 2015
Përplasje me armë te Fakulteti i Shkencave, 3 të vrarë
Më 27 maj të vitit 2015, tre persona mbetën të vrarë gjatë një përplasje me armë zjarri që ndodhi shumë afër qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin shtetasit, Mentor Lufi, 39 vjeç, shoku i tij, Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili ishte njëri prej atentatorëve. Burimet thanë në atë kohë se objekti i këtij atentati ishte shtetasi Mentor Lufi. Policia ndaloi 3 persona, dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian Salvatore Letticia, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.
Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, rezultoi se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm penal kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Mentor Lufi së bashku Gerti Goxhaj kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Tuareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMVV” me targa AA 001 IK si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë Gerti Goxhaj. Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMVV” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve që udhëtonin në këtë makinë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Letticia e më pas edhe Besnik Sulkun, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij.
Gerti Goxhaj, një prej 3 viktimave rezultoi se ishte vrarë gabimisht. Krimet e Rënda kanë nxjerrë këtë përfundim, pas ekspertizës së kryer mbi trupat e viktimave. Rezulton se Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Leticia kishin si shënjestër Mentor Lufin, i cili dyshohej se urdhëroi vrasjen në Holandë të Durim Sulkut. Ekspertiza zbuloi se plumbat që u qëlluan mbi Lufin përfunduan mbi trupin e Gerti Goxhajt, nga Tirana.
1 Tetor 2015
Makina sharrohet në plumba, vritet e dashura e objektivit
Më 1 tetor të vitit 2015, 29-vjeçarja Aurora Oskian, u vra me 10 plumba tek Lulishte “1 Maji”, në Tiranë. Ndonëse fillimisht edhe vetë ekspertët e Policisë patën ndonjë dyshim se shënjestra mund të kishte qenë vetë ajo, disa orë pas ngjarjes, kjo pistë ra tërësisht. Në makinën tip “BMVV”, ku ndodheshin 4 persona, shoqja e Aurorës, Eda, shpëtoi pa asnjë gërvishtje. I dashuri i saj, Elvis Gaçaj, që ishte në timon u plagos me dy plumba. Pasagjeri që ndodhej në sediljen pas saj, u vra nga dy plumba tejshkues që më parë kishin goditur 29-vjeçaren Oskian. Ndërsa vetë Aurora u gjet e sharruar në plumba kallashnikovi. Tetë predha në trup, e dy të tjera që kishin kaluar tejpërtej kokës.
Një skenë e tillë krimi, me të drejtë i bëri hetuesit të dyshonin se objektivi mund të kishte qenë ajo. Por në fakt, nuk ishte kështu. Ishte vetëm fati i saj i keq, që u gjend në kohën e vendin e gabuar. Mbi të gjitha ndodhi të ishte e dashura e Elvis Gaçajt, që sipas hetimeve rezultonte të kishte qenë objektivi i atentatit.
Personi i dytë që mbeti i vrarë në atentatin e 1 tetorit në Tiranë, ishte 22-vjeçari Kevin Rugova. Policia tha se viktima nuk ishte personazh i panjohur për ta, ndonëse nuk ishte proceduar ndonjëherë. Lidhja e tij me objektivin e atentatit ishte më shumë si shef-vartës, pasi nga të dhënat e grupit hetimor Rugova punonte për Elvis Gaçajn.
9 Shtator 2013
Objektivi i shpeton atentatit, e vrarë mbetet ekonimistja
Më 9 shtator të vitit 2013, një 38-vjeçar i shpëtoi një atentati, por e vrarë mbeti një grua 32 vjeçe që ndodhej në të njëjtën tavoline me “shënjestrën” e autorëve. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:50, në një lokal bastesh sportive në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Objektivi i kësaj ngjarje sipas burimeve ka qenë shtetasi Elton Fusha, i njohur edhe me emrin Elidon, i cili mbeti i plagosur me dy plumba në shpatull. Ndërsa gruaja që u vra gabimisht ishte Majlinda Hoxha, e punësuar si ekonomiste në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Viktima ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe ndodhej në të njëjtën tavolinë ku ishte ulur Fusha në momentin që një person ka qëlluar 6 herë me pistoletë. Burimet thanë se autori ka qëlluar nga jashtë lokalit dhe të gjithë plumbat kanë qenë të drejtuar tek tavolina ku ndodhej Elton Fusha.
Personi që mbeti i plagosur, Elton Fusha, rezultonte i arrestuar më parë nga Policia e Tiranës për një plagosje të ndodhur më 27 gusht të vitit 2009. Elton Fusha u arrestua dy muaj pas asaj ngjarjeje, si i akuzuar për plagosjen e pronarit të një lokali në afërsi të Liqenit Artificial.
2 shkurt 2012
Atentat për larje hesapesh, vritet gabimisht 24-vjeçarja
Më 2 shkurt të vitit 2012, një vajzë 24 vjeçe u plagos fillimisht e më pas vdiq në një skenë krimi, ku është ndodhur krejt rastësisht te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Atentati që dyshohej se ishte planifikuar ndaj një personi me precedentë penalë, ka shkaktuar vdekjen e vajzës 24-vjeçare, që nuk kishte lidhje me “larjen e hesapeve”. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30. Një person ka qëlluar në drejtim të Aleksandër Gocajt, me qëllim vrasjen e tij. Rastësisht, 24-vjeçarja Megi Jokiçi ndodhej në vendin e gabuar duke marrë një plumb në kokë dhe ka vdekur pas mesnate në spital, pas tri orësh operacion. Ajo ka qenë bashkë me të fejuarin, në një makinë tip “Mercedes A Class”, duke parkuar para një lokali, ku do të pinin kafe, afër një qendre tregtare. Në të njëjtën kohë, Aleksandër Gocaj ka qenë duke dalë nga i njëjti lokal, ku do të hynin çifti i të fejuarve.
Një person brenda një fuoristrade tip “Nissan” ka ulur xhamin dhe pa zbritur nga makina, ka qëlluar dy herë me armë zjarri. Një nga plumbat ka goditur “objektivin” e tij, shtetasin Aleksandër Gocaj, ndërsa plumbi tjetër ka goditur xhamin e përparmë të makinës. Predha ka plagosur rëndë 24-vjeçaren Megi Jokiçi që ndodhej në sedijen e parë të mjetit. Sipas burimeve, plumbi e ka goditur në mjekër, duke i shkaktuar një plagë të rëndë dhe shumë gjakderdhje. Ndërsa Aleksandër Gocaj nuk ka pasur probleme dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Pasi ka dështuar në atentatin kundër Aleksandër Gocajt dhe ka vrarë vajzën e pafajshme, autori është larguar me nxitim nga vendngjarja. Duke lëvizur me nxitim, në fillim të rrugës, sapo fillon disheza, autori ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një veturë të parkuar në anë të rrugës. Pa kryer asnjë tentativë për ta lëvizur fuoristradën e tij të përplasur, i dyshuari ka zbritur dhe ka lëvizur me armë në dorë nëpër rrugicat e errëta të zones.
21 nëntor 2012
I riu vritet gabimisht pranë Universitetit të Shkodrës
Më 21 nëntor të vitit 2012, 24-vjeçari Aleksandër Qarri, qëllohet për vdekje në qytetin e Shkodrës. Policia mësoi se vrasja e të riut ka qenë aksidentale dhe aspak e qëllimshme, pasi një tjetër person ka qenë objektiv i sulmit në zonën e Universitetit të Shkodrës. Aleksandër Qarri ishte duke kaluar në rrugë në vendin dhe kohën e gabuar, kur është qëlluar me pesë plumba në trup, duke vdekur pas dy orësh në spitalin rajonal të Shkodrës. Nga pyetja e dëshmitarëve, por edhe të dy personave që mbetën të plagosur në këtë atentat, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë arritur në konkluzionin se personi që ka qëlluar rreth 14 plumba me automatik, ka dashur të vrasë shtetasin Lekë Marku dhe një kushëririn e tij.
Shkak i këtij sulmi me armë duket ishte hakmarrja, pasi fisi Marku kishte pasur konflikte me një familje në Shkodër me mbiemrin Vukaj. Ndërkohë, plumbat kanë goditur edhe një student tjetër, 19-vjeçarin August Begeja, nga Gjadri i Lezhës, edhe ky i fundit i plagosur gabimisht me një plumb të vetëm në këmbë. Lidhur me këtë ngjarje Policia e Shkodrës pati arrestuar si të dyshuar për vrasjen, shtetasin Sandër Vukaj, të cilit gjatë ndalimit iu sekuestrua një pistoletë. Gjatë marrjes në pyetje, Vukaj s’ka pranuar autorësinë e krimit, duke pretenduar se ai kishte qëndruar në banesë përgjatë gjithë mëngjesit kur ka ndodhur vrasja.
27 Shkurt 2005
Ekzekutohet me eksploziv në ashensor Vajdin Lame e miku i tij
Më 27 shkurt të vitit 2005, rreth orë 23:40, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse kanë gjetur vdekjen Vajdin Lame dhe Artan Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte Vajdin Lame, në rrugën “Dervish Hima”, në Tiranë. Lënda plasëse ka qenë e vendosur në kabinën e ashensorit dhe ka shpërthyer në momentin kur ashensori ndodhej në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa ishte duke u ngjitur në katin e tetë.
Artan Arsi kishte mbaruar shkollën me Vajdin Lamen dhe ishin miq të vjetër. Arsi kishte jetuar në Shkodër, por prej rreth 4 muajsh, para se të vritej u zhvendos në Tiranë dhe jetonte me bashkëshorten e dy fëmijët në një banesë me qira pranë Stacionit të Trenit. Arsi punonte si menaxher në një firmë zvicerane për barna farmaceutikë dhe gjatë kohës që nisi të jetojë në Tiranë, takohej çdo ditë me Vajdin Lamen. Edhe natën para se të vriteshin të dy, Artan Arsi ka qëndruar në lokalin e Lames, duke e pritur derisa ai të ndahej nga dy arkitektë italianë, me të cilin ishte ulur në një kënd tjetër të lokalit dhe po bisedonin për rikonstruksionin e ish-kampit të punëtorëve në Durrës.
Sulmi që për shumë vite me radhë kishte mbetur pa autor, ishte realizuar falë një telekomandimi tepër profesional në momentin që dy shokët e fëmijërisë gjendeshin në ashensor, në një pallat pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”. Pistat e para që u ngritën nga Policia në atë kohë lidheshin me aktivitetet e zgjeruara të Vajdin Lames.
Lame kishte mbaruar shkolën e Lartë të Bashkuar në degën zbulim dhe më pas kishte punuar si officer ushrie. Më vonë ishte emëruar shef Krimesh në Komisariatin nr.2 në Tiranë, ndërsa për rreth 6 maj ka qenë drejtor i Policisë së Shkodrës. Nga aty është transferuar me shëbim në Dragot të Tepelenës dhe më pas e kanë liruar. Nga ai moment nisi të merrej me aktivitet privat. Fillimisht hapi një lokal tek Parku Rinia në Tiranë e më vonë një lokal më të madh me të njëjtin emër e hapi në një zonë ku ndodhet edhe sot, pranë stadiumit “Air Albania”. Gjithashtu në atë kohë ishte edher ortak në media. Në muajin tetor të vitit 2004, Vajdin Lame ishte plagosur në një atentat tek Pallati i Kulturës në Tiranë, pasi po dilte nga sdutio e Televizionit Arbëria, ku kisht qenë i ftuar në një emision.
Nga dëshmitë e shumta që u dhanë në lidhje me ngjarjen, u mësua se personi që ka vendosur eksplozivin në ashensor është future lehtësisht në pallat, pasi në atë moment pallati ka qenë pa roje dhe dyert e garazheve e të pallatit rrinin të hapura. Në dëshminë që ka dhënë njëri nga vëllezërit e Lames, ka shpjeguar se në atë moment që ka ndodhur ngjarja, Vajdini ka qenë duke shkuar në shtëpi, që ndodhet në katin e tetë të kullës ku është edhe lokali i vëllait tjetër të tij, bashkë me shokun e vet Artan Arsi.
Që në atë kohë pati dyshime se një nga autorët mund të kishte qenë Emiljano Shullazi. Pas 15 vitesh, SPAK zbardhi vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe të Klodian Saliut, që ndodhën vetëm pak orë nga njëra-tjetra. Me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, u shpallën në kërkim Lulzim Berisha dhe Plaurent Devishaj. Ndërsa i është komunikuar akuza në burg Emiljano Shullazit. Njoftimi zyrtar i SPAK erdhi dy ditë pas arrestimit në Kosovë të Indrit Taullait, ndërsa pas tij u arrestua edhe Viktor Ymeri. Këta persona tashmë po gjykohen në lidhje me këto dy ngjarje në Gjykatën e Posaçme.
29 Mars 2003
“Masakra e kartodromit”, vritet Miri i Xhikes, kamarieri e miku i tij
Në mbrëmjen e datës 29 mars 2003 Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, ishte në shoqërinë e disa të njohurve të tij, Ylli Kelmendit, Nazmi Çelës, Kristaq Camit dhe Flamur Rrapajt. Ata kanë qenë të ulur në një nga tavolinat e restorantit të katit të parë të kompleksit “Kartodrom 2000”, që ndodhej në periferi të qytetit të Tiranës dhe në afërsi të fshatit Lundër. Personat e mësipërm për shkak të njohjeve që kishin me njëri-tjetrin dhe të faktit që po zhvillohej ndeshja e futbollit e përfaqësueseve Shqipëri-Rusi, kanë qëndruar së bashku ditën e ngjarjes.
Rreth orës 20:00, dy persona të maskuar janë afruar me shpejtësi dhe pa rënë në sy në pjesën e jashtme të lokalit kanë filluar të qëllojnë me armë në drejtim të tavolinës ku ishin ulur personat e mësipërm. Në këtë moment, dëshmitari Ylli Kelmendi ka qenë në këmbë i distancuar nga tavolina, ndërsa Julian Durishti, si punonjës i lokalit, ka qenë në afërsi të tavolinës ku ndodheshin viktimat. Si rezultat i breshërisë së plumbave kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Fatmir Rama dhe Julian Durishti dhe pak çaste më pas edhe Kristaq Cami, ndërsa Flamur Rrapaj është plagosur dhe ka humbur ndjenjat.
Ngjarja që u quajt “Masakra e Kartodromit”, u zbardh nga një fije floku e mbetur në një kapuç të zi. Për këtë ngjarje u kërkua ndihmë nga Italia për kryerjen e analizës së AND-së. Gjykata e Tiranës ka dënuar të arrestuarin e vetëm për vrasjen e Mirit të Xhikes, Lavdrim Tufën. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie, por tani ka fituar lirinë. Ai u dënua për bashkëpunim në vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”, si dhe dy personave të tjerë që ndodheshin në lokalin “Kartodrom 2000”.
11 Janar 2000
Ekzekutohen 3 të rinj brenda ne makinë, vetëm njëri ishte objektiv
Më 11 janar të vitit 2000, tre të rinj mbetën të vrarë në një atentat të mirëogranizuar në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, në Tiranë. Ndonëse objektiv i këtij atentati ishte vetëm njëri prej tyre, plumbave nuk u shpëtuan as dy shokët e tij që ndodheshin në makinë dhe një i tretë u plagos. Autorët kanë pasur si qëllim vrasjen e 20-vjeçarit Andi Hasani, ndërsa Sokol Alushi e Gazmend Zeneli kanë qënë viktima të rastësishme. Për këtë ngjarje u akuzua Elidon Kotorri, i cili në fillim u dënua me burgim të përjetshëm e më pas arriti t’i shpetojë këtij dënimi, pasi çështja u rihap me vendim të Gjykatës së Strasburgut. Kotorri u dënua përfundimisht me 25 vjet burg për këtë ngjarje duke fituar lirinë në vitin 2019.
Referuar dosjes hetimore dhe vendimeve të gjykatës që dënouan Elidon Kotorrin, konfirmohet se më datë 14 dhjetor 1998 është vrarë në ambientet e jashtme të Klubit sportiv “Partizani” shtetasi Elton Zajmi. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Tiranë kishte akuzuar shtetasin Andi Hasani, por çështja në ngarkim të tij u pushua, për shkak se ai është vrarë më pas.
Kotorri, duke qenë shok me viktimën Elton Zajmi, i bindur se vrasjen e tij e kishte kryer Andi Hasani, vendosi të hakmerret ndaj tij. Për të realizuar këtë qëllim, ai ngarkoi Olsi Koçiun, i cili punonte shofer në aktivitetin tregtar që ushtronte familja Kotorri, që të ndiqte lëvizjet e viktimës Andi Hasani.
Olsi Koçiu, pasi ka vështruar lëvizjet e viktimës për disa ditë, i ka raportuar Elidon Kotorrit, i cili, i bindur tashmë për itinerarin e lëvizjeve të Hasanit, ka urdhëruar Koçiun që të mos vazhdonte me ndjekjen e tij.
Më datë 10 janar 2000 i ka thënë atij të bënte gati automjetin e tij se do të shkonin së bashku në Rinas për një udhëtim në Greqi. Në datë 11 janar 2000, në orën 14:30, Elidon Kotorri, me disa persona të paidentifikuar, me një mjet tip “Volksvvgen” me targa TR 4414 E, kanë shkuar në rrugën “Bajram Curri”, tek stacioni i fundit i Tiranës së Re, për të ndjekur viktimën Andi Hasani. Në këtë kohë Andi Hasani ka hipur në automjetin e tij tip “Volvo”, së bashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani.
Sipas dinamikës së krimit rezulton se i dënuari Elidon Kotorri bashkë me shokët e tij janë vënë në ndjekje të viktimës dhe te shkolla “Vasil Shanto” kanë qëlluar mbi automjetin që udhëtonte Andi Hasani. Nga të shtënat kanë mbetur të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Gregor Stefani. Mbas kryerjes së krimit, autorët kanë braktisur mjetin e tyre dhe janë larguar me këmbë. Më pas Kotorri, me një motor është kthyer në vendngjarje për të mësuar nëse ishte vrarë Andi Hasani. Pasi ka mësuar vdekjen e tij, ai është kthyer në banesë dhe pastaj është nisur për në Turqi.
13 Maj 2000
Vritet ish-presidenti i Tomorrit, bashkë me të edhe një arbitër
Më 13 maj të vitit 2000, ish-presidenti i Tomorrit, Ardian Çobo, ekzekutohet në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”. Bashkë me të, mbeti i vrarë edhe Luan Zylfo, arbitri i ndeshjes Partizani-Tomorri, ndërsa u plagosën edhe dy të tjerë. Ngjarja që tronditi futbollin shqiptar, ndodhi në javën e parafundit të kampionatit kombëtar. Në orën 15:00, do të luhej ndeshja Partizani-Tomorri. Partizani në prag të rënies nga kategoria, ndërsa Tomorri ishte shumë pranë titullit. Në përfundim të ndeshjes, me fitoren ndaj Partizanit, Tomorri u barazua me pikë me Tiranën kryesuese, që në të njëjtën ditë barazoi në Gjirokastër.
Në përfundim të ndeshjes, presidenti dhe drejtues të Tomorrit, bashkë me arbitrat u ulën në një lokal pranë stadiumit “Selman Stermasi”. Ata kishin vetëm pak minuta që ishin ulur në të njëjtën tavolinë, kur një person ka qëlluar me armë drejt tyre. Plumbat ishin fatal për presidentin e Tomorrit, Ardian Çobo dhe për arbitrin Luan Zylfo. Për Çobon ndihma ishte thuajse e pamundur, ndërsa Zylfo u transportua drejt Spitalit Ushtarak, ku pas orëve të tëra pritjeje, mjekët njoftuan se e patën të pamundur ta mbanin në jetë, duke qenë se një plumb e kishte goditur në qafë. Të plagosur kishin mbetur edhe Albano Janku, në kofshë dhe Shpëtim Lamçe në dorë.
Ardian Çobo, nga Berati, president i klubit Tomorri, njihej si shumë pasionant dhe dashamirës futbolli. Ai ishte i pari që e afroi Tomorrin aq pranë fitimit të titullit kampion. Çobo ishte angazhuar plotësisht për t’i dhënë Beratit trofeun e parë, që fatkeqësisht nuk arriti ta realizonte. Ai ishte vetëm 26 vjeç, kur mbeti i vrarë. E pas vrasjes së tij, edhe Tomorri pësoi rënie të vazhdueshme.
12 Shtator 1998
Ekzekutohet para selisë së PD Azem Hajdari dhe truproja e tij
Mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998, në orën 21:15, Azem Hajdari ka dalë nga Selia e Partisë Demokratike. Ai është kthyer majtas, duke ecur diagonalisht drejt vendit ku sot është memoriali i tij. Sapo e kanë parë, dy truprojat që ndodheshin në lokal kanë shkuar pranë tij, duke e future në mes. Kanë shkuar tek vendi që ndodhej një makinë e panjohur, për të cilën u kërkua që të verifikohej. Azemi ishte sinjalizuar për këtë makinë dhe po shkonte vetë që ta verifikonte. Kur kanë shkuar aty, personi që ka dalë nga makina me automatik në dorë ka qenë Fatmir Haklaj. Ai ka zbritur nga makina “Benz” me targa Vlore. Në të majtën e Azemit ishte Besim Çerja dhe në të djathtë truproja tjetër, Zenel Neza. Nga ana tjetër, Fatmir Haklaj kishte në krahun e tij të djathtë Jaho Mulosmani dhe majtas Naim Çangun, të dy të armatosur.
Në këtë moment Besim Çerja sapo shikon se të tre personat e mësipërm ishin të armatosur, kap me të dyja duart dhe i bllokon kallashnikovin Fatmir Haklaj. Duke mos pasur mundësi për të qëlluar, Fatmiri bllokohet bahkë me armën që kishte kapur truproja i Azemit. Pranë Besimit afrohet Jaho Salihi, i cili i vë pistoletën në kokë dhe e qëllon për vdekje. Duart e tij mbeten ende të armë e Fatmir Haklajt, ndërsa tyta e saj ishte kthyer nga truproja tjetër Zenel Neza dhe miku i Fatmirit, Naim Çangu. Në këtë moment arma bën qitje të pakontrolluara dhe plumbat kapin Nezën e Çangun.
Në fund, Fatmir Haklaj heq armën nga duart e Besim Çerjas dhe qëllon për vdekje Azem Hajdarin. Me këtë të fundit të mbetur të vdekur në vend, bashkë me Besim Çerjan, dhe Zenel Nezën të plagosur, Fatmiri dhe Jaho u larguan nga vendngjarja, dillimisht duke dërguar në spital Naim Çangun, që më pas humbi jetën dhe vetë u larguar në drejtim të paditur.
25 Shkurt 1998
Altin Dardha vret vrasësin e të atit bashkë me 3 të tjerë
Më 25 shkurt të vitit 1998 Altin Dardha kryen vrasja e fundit e tij në Berat. Ai kishte si objektiv Burhan Tomorrin, që i kishte vrarë të atin, por nuk e njihte. Atë ditë, disa punonjës Policie lajmërojnë Burhan Tomorrin për lajmet që po qarkullonin për Altin Dardhën. I thanë se flitej që kishte ardhur se po kërkonte një pushkë snajper. Burhani u thotë të mos e vrisnin mendjen se e kishte situatën nën kontroll. Pas largimit të Mit’hat Havarit, i konsideruar si shpëtimtar I Beratit, për shkak të emrit të frikshëm dhe pushtetit që niste nga njerëzit që e mbështesnin, Burhan Tomorri kishte krijuar marrëdhënie të mira me Policinë. Porse siguria që duket se ndiente e dëri që të shpërfillte informacionet. Vetëm dy ditë pas mbërritjes në Berat, Altin Dardha dhe grupi i tij, me të njëjtën makinë, Ford me targa TR 7108 A, kishte kaluar para derës së shtëpisë së tij, në lagjen Vakëf, por nuk kishin parë asgjë dhe ishin larguar. Ditën e tretë të mbërritjes në Berat, më 25 shkurt. Informatori që lëvizte nëpër qytet me një veturë, lajmëron me radio Altin Dardhën.
I lidhur me bashkëpunëtorë në lagjen e Burhanit, ai i transmeton Altinit lajmin se Burhan Tomorri po dilte nga lagjja Vakëf me një veturë Mercedez. Informatori arrin të afrohet me makinë dhe ta gjurmojë nga pas Burhanin, i cili drejtohet për te stadium i ri i futbollit “Tomorri”, parkon makinën dhe ulet në një kafene.
Informatori njofton Altinin se objektivi ishte në lokalin në të djathtë të stadiumit, në verandë. Aty ku ishte vetëm një tavolinë dhe ishin të ulur 4 vetë. Fordi gjysmë kamionçinë i bie shkurt për të shkuar te stadium. Zbret kalldrëmin, ndan lagjen Mangalem, kalon përmes qendrës së qytetit, përpara fasadës së komisariatit të Policisë dhe pak më shumë se 100 metra më tej ndalet përpaa lokalit ku gjendej Burhan Tomorri.
Altin Dardha, veshur me një xhup të bardhë, me kapuç të vendosur që mbulonte flokët dhe një pjesë të mirë të fytyrës, ishte pozicionuar në vendin e pasagjerit. Në timon ishte Altin Isufi, ndërsa Gëzim Kasemi dhe Agron Bilali ishin vendosur pas. Kur makina frenon, Kasemi dhe Bilali dalin me qëllim që të shpërndanin njerëzit e shumtë të pranishëm atë ditë në treg. Por Altin Dardha nuk pret. Ai nxjerr tytën e një mitralozi të lehtë përmbi xhamin gjysmë të ulur të derës së makinës dhe nis të qëllojë në drejtim të tavolinës së vetme që gjendej në verandë. Nuk mund të rrezikonte të kryente vrasje të pastër.
Pa e hequr gishtin nga këmbëza, ai kujdeset që t’i vrasë të gjithë. Pasi bindet se të katër viktimat nuk kishin asnjë shans të ndryshonin rrjedhën e ngjarjes, Altin Dardha le mitrolozin në makinë, rrëmben një kallashnikov dhe zbrez edhe një tjetër breshëri mbi trupin e pajetë të Burhan Tomorrit. “Të vrava qelbësirë”, i drejtohet viktimës duke thirrur për fitore. Por bashkë me të kishte vrarë edhe 3 të pafajshëm.
Viti 1997 por edhe vitet ’98 e ‘99 pas tij, ishin më të errëtat pas demokracisë, që shënuan qindra të vrarë, pjesa më të madhe e të cilëve ishin dëmet anësore të një batërdie që po shkakronin bandat kriminale. Në ’97-ën u vranë 1542 persona, në ’98-ën 573 e në ’99-ën 496. Situata erdhi duke u qetësuar vit pas viti dhe pushteti i krimit nisi të binte me goditjen e bandave. E megjithatë pasojat ishin të rënda.
Edhe sot hesapet mes bandave vazhdojnë të shkaktojnë viktima. Ata lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por herë pas here vrasin edhe të pafajshëm. Kështu ndodhi në “Don Bosko”, mbrëmjen e 12 marsit, ku hesapet e grupeve kriminale derdhën gjakun e një gruaje të pafajshme. E dy javë më pas një tjetër njeri pa faj u gjend mes breshërisë së plumbave që goditën Top Channel.
Fakti që këto dy ngjarje ndodhen shumë afër njëra – tjetrës tregon që ne si shoqëri jemi ende larg sigurisë për jetën. E duket se kjo do të vazhdojë për aq kohë sa numri i madh i armëve që u rrëmbyen nga depot në ’97-ën vazhdon të jetë në duart e njerëzve të papërgjegjshëm.
Na mbetet veçse të presim momentin që shoqëria jonë të shkarkohet nga një hakmarrje aq e verbër që përveç targetit rrezikon jetët e njerëzve të pafajshëm./abcnews.al