Nga kritikat ndaj UEFA-s e deri te rinovimi i Kvaratskhelia, Presidenti i Napolit “rrëfen” gjithçka

schedule21:57 - 31 Mars, 2023

schedule 21:57 - 31 Mars, 2023

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis duket se ende nuk e humbur “inatin” me drejtuesit e organit më të lartë të futbollit në Evropë, UEFA-n, organ të cilin De Laurentiis prej vitesh e kritikon sidomos aspektin drejtues të tij.

Në një prononcim për mediat ditën e sotme, Presidenti i Napolit ka komentuar sfidën çerek-finale të UEFA Champions League, sfidë në të cilën shorti i përballi me rivalët e Serie A, Milanin.

“Ata nuk kanë kokë. Imagjinoni sikur të ishim kualifikuar edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, do të ishte qesharake pasi është qesharake të luajmë tre herë me të njëjtën skuadër. Nëse luani në një kompeticion evropian, dëshironi të luani me më të mirët në Evropë. Milani duhet të kishte luajtur me një skuadër tjetër evropiane dhe po ashtu edhe ne. Fatkeqësisht, derisa të ndryshojmë UEFA-n, ne do të jemi skllevër të një ministrie futbolli dhe jo të një shoqate kompanish futbolli”,- tha De Laurentiis në fjalën e tij, duke shprehur haptazi kritikat e tij ndaj UEFA-s.

Më tej në fjalën e tij, Presidenti i napoletanëve foli gjithashtu dhe për “djajtë” e Milanos, ku në asnjë moment nuk i nënvlerësoi ata, si dhe vuri në dukje punën e shkëlqyer që bordi drejtues po bën me klubin.

“Këto janë ndeshje shumë të hapura, nuk e di se si do të përfundojnë. Është një klub i menaxhuar mirë nga Maldini, Scaroni dhe pronarët e rinj. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, do t’u mungojnë edhe disa dhe shpresojmë që forcat të jenë të barabarta për t’i dhënë tifozëve një shfaqje të shkëlqyer, gjë që duhet të bëjë futbolli”,- u shpreh ai.

De Laurentiis foli gjithashtu dhe për “superyjet” e Napolit këtë sezon, Victor Osimhen Kvicha Kvaratskhelia, ku fillimisht uroi për një rikthimin sa më të shpejtë të nigerianit e më pas foli për rinovimin e “rrufesë” gjeorgjiane të krahut të majtë.

“Osimhen do të jetë jashtë për disa javë, le të shpresojmë të kthehet sa më shpejt. Përsa i përket rinovimit të Kvichas nuk duhet. Ai ka një kontratë pesëvjeçare. Gazetarët, në vend që të flasin për gjëra spektakolare, bien gjithmonë në vulgaritetin e parave”,- tha Presidenti De Laurentiis në përfundim të fjalës së tij. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!