Në një lidhje Skype nga Kalabria për ABC e Mëngjesit, vjen historia e jashtëzakonshme e Spiro Panos, kompozitor, instrumentist, pedagog dhe muzikolog, njeriut që ia kushtoi jetën ruajtjes dhe ringjalljes së këngëve të vjetra arbëreshe.
Nga Korça, “Parisi i vogël”, drejt Arbërisë së madhe, rrugëtimi i tij është një udhëtim i pandërprerë mes kulturës, identitetit dhe pasionit.
Ai ka mbledhur në fshatrat arbëreshe me qindar këngë, i ka rregjistruar, transkriptuar në partitura, duke krijuar e ruajtur thesarin më të madh etnokulturor. Ai ka regjistruar ndoshta brezin e fundit të arbëreshëve që këndonin këngët e vjetra arbërore, duke i shpëtuar kështu nga zhdukja këto këngë antike.
Lidhja me Arbërinë nis herët, shumë përpara rënies së komunizmit. Por, një kërkim 6-mujor në Kalabri për muzikën arbëreshe kthehet në një fat që zgjat përjetë. Në vitin 1992 largohet për specializim në Itali dhe vendos të jetojë e punojë atje, duke u fokusuar plotësisht te trashëgimia arbëreshe.
Në Kalabri, ku flitet një shqipe e bukur e gërshetuar me arbërishten, Spiro Pano ndërton një shkollë muzike që nxjerr emra të njohur të skenës italiane, madje edhe të Sanremos.
Pedagog në Konservatorin e Kozencës, ai jep mësim për një gamë të gjerë instrumentesh, nga violonçeli te pianoforti e klarineta.
Në vitin 1981 emërohet kontrabasist i Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ndërsa deri në fillim të viteve ’90 është pjesë e koncerteve më të mëdha në vend. Dashuria për muzikën e tabanit e çon në krye të grupit “Na bashkoi kënga popullore”, ku bashkëpunon me emra të njohur si Agim Duro, Nimet Salabegu dhe Frederik Ndoci, duke përpunuar këngë pa ua prishur bukurinë e lindur.
Autor kompozimesh, bashkautor i librit “Diversiteti Arbëresh”, akordues instrumentesh dhe piktor i ekspozuar.


