13 muaj kishte jetuar në Tiranë në kohën e luftës në Kosovë dhe tani rikthehet dhe merr një vlerësim. Nga atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra dhe Robin Haxhi Krasniqi është kampion bote në boks, në WBA (regular – i thjeshtë) dhe IBO, pasi e provoi për të tretën herë. Ai mposhti më 10 tetor gjermanin Dominic Boesel dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur vlerësime të shumta në Kosovë dhe tani edhe në Tiranë.
Krasniqi ka qenë në Bashkinë e Tiranës, ku i pari i këtij institucioni i ka dhënë “Çelësin e Qytetit”. Boksieri, një nga ata që suksesin e ka arritur me punë dhe ka duruar shumë, vlerësohet. Veliaj është shprehur kështu për Krasniqin: “Jam shumë i lumtur që Robin Krasniqi, kampioni ynë i botës, i krejt shqiptarisë, na ka respektuar qytetin.
Ti na ke bërë krenar! Historia jote më bëri shumë përshtypje, është historia e dikujt që nuk ka fituar me të parën dhe nuk i ka shkuar jeta fjollë, por që është rrëzuar, është ngritur, është rrëzuar, është ringritur dhe sot është kampion bote.
Historia jote frymëzon djem dhe vajza të rinj, të cilët duhet të kuptojnë se, suksesi nuk vjen në ndeshjen e parë, suksesin nuk ta sjellë baba ose nëna me njohje, me pasuri, me parti ose me politikë, por vjen nga ata që përpiqen, përpiqen, përpiqen dhe nuk dorëzohen”. 33-vjeçari më pas ka thënë fjalët e tij dhe normalisht ndihet i vlerësuar.
“Dua t’ju falënderoj përzemërsisht! Jam shumë, shumë i lumtur që kthehem pas 21 vitesh. Dikur isha një emigrant. Jam shumë krenar dhe shumë i emocionuar që në kryeqytetin e Shqipërisë së madhe, në Tiranë, i biem dy tituj të botës dhe është një nder shumë i madh ta marr këtë “Çelës të Qytetit”. Kam shumë kujtime të mira nga Tirana, shoh sesa ka ndryshuar, por është një nder, një respekt, një krenari e madhe ta marr këtë çmim”, tha Krasniqi. /abcnews.al