Maurisio Poçetino është personazhi i momentit në Champions. Pas Jurgen Klopit, edhe trajneri argjentinas realizoi një mrekulli duke treguar se është një profesionist i madh.
Futbollin për herë të parë e ndjeu në 1978.
Argjentina u shpall kampione e botës në Buenos Aires, dhe një fëmijë 6-vjeçar me emrin Maurisio Poçetino ndoqi ndeshjet në fshat me babanë e tij.
Kur Diego Armando Maradona fitoi Kupën e dytë të Botës të Argjentinës, Poçetino sapo kishte nisur karrierën.
U zbulua nga një skaut i trajnerit të famshëm, Marselo Bielsa, dhe shkoi tek Njuell’s Old Bojs.
Fitoi titullin kampion në 1991 dhe titullin Klauzura në 1992, si dhe arriti finalen e Kupës Libertadores.
Më pas kaloi Atlantikun për të provuar veten në elitën e futbollit, në Europë.
Me Espanjolin në Spanjë fitoi dy Kupa të Mbretit, dhe u bë i njohur si një qendërmbrojtës pa kompromis.
Pasi provoi edhe Francën, tek Paris SG dhe Bordoja, mbylli karrierën e futbollistit tek Espanjoli me një tjetër fitore të Kupës së Mbretit në 2006.
Me kombëtaren e Argjentinës, Poçetino mbahet mend më shumë për penalltinë fatkeqe që shkaktoi ndaj Majkëll Ouenit, në Botërorin 2002, duke I dhënë fitoren Anglisë me golin e Dejvid Bekamit.
Lavdia duket se e priste si trajner.
E filloi në 2009, ku tjetër përveçse, tek Espanjoli, ku drejtoi për 3 vjet, dhe nisi të shquhej për mënyrën e tij të trajnimit.
Në Angli shkoi pa shumë bujë në 2012, tek Sauthemptoni, por shpejt tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdhenj.
Fati i tij i radhës quhej Totenhem Hotspur, ku firmosi në 2014.
Trajneri argjentinas ishte i prerë dhe i sigurt në konferencën e parë për shtyp.
“Synimi ynë është që të arrijmë maksimumin, kam nevojë për kohë, por do të bëjmë gjithçka që të jemi mes më të mirëve në Angli dhe në Europë”, – ishin fjalët e tij.
Që në seancën e parë stërvitore, lojtarët kuptuan se Poçetino ishte një njeri tek i cili mund të mbështeteshe.
Kanë kaluar gati pesë vjet dhe argjentinasi është bërë i famshëm, edhe pse ende nuk ka realizuar atë që ëndërrojnë tifozët, të fitojë trofeun e parë që nga viti 2008.
Gjithsesi, në epokën e milionave, Poçetino ka siguruar diçka tepër të rëndësishme, prej 3 vitesh, Spërsat luajnë në Ligën e Kampionëve, dhe pritet të jenë aty edhe vitin e ardhshëm, garancia për të qenë një klub i madh.
Falë sukseseve të tij, presidenti Daniel Levi bëri realitet projektin prej 1 miliardë paund stërlinash të stadiumit të ri, që e bën edhe më shumë Totenhemin një klub të elitës.
Tashmë, u arrit finalja e Championsit, e para në histori.
A do të jetë pikërisht ky trofeu i parë i Maurisio Poçetinos?
Nëse do të ndodhte kështu, do të ishte maksimumi, por ndoshta edhe mbyllja e një epoke, dhe trajneri 47-vjeçar do të largohej nga Totenhemi për të provuar një sfidë të re./ABC News Albania 24/7