Emra pafund në merkato, klube të shumta të Superiores të përfshira. Në qendër të vëmendjes janë klubet e kryeqytetit dhe në faqen e parë të “Panorama Sport” bien në sy disa lëvizje që po tentohen të bëhen nga Partizani, Dinamo dhe Tirana.
Bajram Jashanica lakohet si objektiv i Partizanit për qendrën e mbrojtjes, por për të interes thuhet se ka edhe Dinamo. Këta të fundit duan edhe emra të tjerë të spikatur në kampionatin tonë, si kampionin Albano Aleksi dhe qendërmbrojtësin e Vllaznisë, Mevlan Adilin.
Xhulio Skuka mbetet në radarët e Dinamos dhe për të thuhet se është pranë firmës, për të provuar kështu edhe eksperiencën e parë në Superiore, pasi ka spikatur me Korabin në Kategorinë e Parë.
Te Tirana Jurgen Çelhakës i ka dalë emri në merkato për t’u shitur te Rapidi i Vjenës, kurse Agustin Torassa është pranë rinovimit të kontratës pas dy sezoneve me fanellën e bardhebluve. /abcnews.al