Pjesëmarrja në kampionatin europian është një ëndërr për futbollistët. Disa kanë fatin të jenë pjesë ndërsa disa të tjerë mungojnë për shkak dëmtimesh. Zlatan Ibrahimovic bëri jehonë për rikthimin e tij në kombëtare pas 5 vitesh, por sulmuesi nuk do të marrë pjesë ne Euro2020.
39-vjeçari ka qenë i pafat në këtë fundsezoni, teksa pësoi një lëndim në gju në ndeshjen ndaj Juventusit, disa ditë më parë. Ky dëmtim do ta mbajë Ibrën 6 javë jashtë fushave, duke bërë që të humbasë kampionatin europian.
Holanda duhet të bëjë llogaritë në EURO 2020 pa Virgil Van Dijk. Mbrojtësi nuk ia ka dalë të lërë pas lëndimin dhe ka vendosur të mos grumbullohet me ekipin kombëtar. Ai do të vazhdojë rikuperimin nga dëmtimi, që e ka mbajtur jashtë fushave gjatë gjithë sezonit.
Një tjetër mungesë në Europianin e kësaj vere është dhe shoku i ekipit i klubit të Van Dijk, Joe Gomez. 23-vjeçari konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë anglezë, por një dëmtim në gju ka bërë që qendërmbrojtësi i Liverpoolit të humbasë Euro 2020.
Talenti i Barcelonës, Ansu Fati, është një tjetër mungesë e këtij europiani. 18-vjeçari është dëmtuar që në nëntor ndaj Betisit në kampionat dhe nuk ka arritur të rikuperohet. Sulmuesi i katalanasve është një lojtar i preferuar nga Luis Enrique dhe ka qenë titullar në disa ndeshje për Spanjën.
Mark-Andre Ter Stegen nuk do të jetë pjesë e kombëtares së Gjermanisë. Portieri i Barcelonës ka prej disa kohësh probleme me gjurin dhe ka vendosur t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, në mënyrë që të jetë gati për sezonin e ri me katalanasit. Kjo zgjedhje mesa duket vjen për shkak se te pancerat ai nuk konsiderohet titullar dhe i duhet të vazhdojë të jetë nën hijen e Manuel Neuer. /abcnews.al