Nga Flamurtari, te Sassuolo: Mateo Çipi do të ndjekë gjurmët e babait të tij

schedule19:39 - 5 Mars, 2022

schedule 19:39 - 5 Mars, 2022

Mateo Çipi i është bashkuar Sassuolos në Itali, duke shtuar numrin e shqiptarëve në vendin fqinj. Mbrojtësi e ka “detyrim” të bëhet futbollist, edhe prej babait, Gerit, i cili ka provuar të luajë edhe në Bundesliga dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e kombëtares shqiptare.

“Lidhja ime me futbollin ka nisur në moshën 7-vjeçare. Njeriu që më kë afruar më shumë me këtë sport ka qene babai, por dhe shoqëria. Luanim gjithmonë me shokët futboll”, është shprehur Çipi në rrëfimin e tij për FSHF.org.

Këshillat e Gerit nuk i mungojnë, por Mato ka pasur mundësinë që 16 vjeç të luajë në një kampionat të ashpër si Kategoria e Parë, me fanellën e Flamurtarit.

“Të luash në ekipin në të cilin ti je rritur është një eksperiencë shumë e bukur. Fakti që më është dhënë mundësia të luaj në ekipin e parë në një moshë të vogël më ka ndihmuar. Ka qenë një eksperiencë që më ka rritur, si nga ana fizike ashtu edhe nga an mendore”.

Mateo është edhe pjesë e Shqipërisë U19: “Kur mora ftesën nga  Shqipëria U19, jam ndjerë krenar që mu dha mundësia që të jem pjesë e kombëtares së moshave. Nga grumbullimi i parë më kujtohet atmosfera me shokët e skuadrës. Ndeshja ime e parë kundër Izraelit ka qenë një moment që unë nuk e harroj.

Si ndikon Geri Çipi te djali i tij? Mateo shprehet kështu: “Ka ndikuar për faktin që kam dëgjuar gjithmonë këshillat e tij. Fakti që ai ka arritur të luajë në shumë klube në Europë, më motivon që edhe unë të ndjek gjurmët e tij”.

Mbrojtësi i ri ka dy lojtarë që i shikon si shembuj: “Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është Berat Gjimshiti, i cili ka vite që luan në nivele të larta në Itali. Kurse lojtari i huaj që e kam si shembull është Virgil Van Dijk. Ai është një nga mbrojtësit më të mirë në botë”.

Dëshira e Mateos është e madhe të luajë në Serie dhe për këtë duhet të spikatë te moshat e Sassuolo.  “Synimi im është që është të luaj në kampionate europiane dhe shpresoj që dhe unë të ndjek gjurmët e babait tim”, përfundon 19-vjeçari. / abcnews.al