Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, më 26 shtator u zgjodh Zëvendëspresident i UEFA-s në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të qeverisë së futbollit europian. Një ngjarje e madhe për futbollin tonë, ashtu sikurse edhe marrja e të drejtës për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian U-17 në vitin 2025.
Në një intervistë për një nga mediat tona, Presidenti Duka ka komentuar zgjedhjen e tij si zëvendëspresident i UEFA-s. Ai ka treguar se si ndodhi gjithçka, ndërkohë që është ndalur edhe te tema të tjera që lidhen kryesisht me Kombëtaren dhe kualifikimin në “Euro 2024”.
Intervista e plotë:
BUJA MEDIATIKE – “As ditën e parë dhe as sot nuk kam qenë njeri shumë i kujdesshëm për marrëdhëniet me median. Nuk më ka bërë ndonjë përshtypje as atëherë dhe as sot. Unë kam busull orientimi të bëj maksimumin, të bëj ato që duhen bërë. Natyrisht që ndihem mirë kur media thotë fjalë të mira, por marrëdhënia me shtypin nuk merr pjesë të kohës time”.
ZGJEDHJA ZËVENDËSPRESIDENT & PËRFITIMET SHQIPËRISË – “Unë realisht nuk e kisha menduar, por ishte vetë kreu i UEFA-s që ma propozoi. E pranova dhe e mirëprita. Normalisht në historinë e institucionit, anëtari që merr më shumë vota në Komitetin Ekzekutiv, është kandidat potencial për zv. President. Çfarë përfiton vendi ynë? Shqipëria është një nga 55 anëtarët e këtij institucioni dhe nëse bën mirë detyrat e saj, përfiton jo pak. Çdo vit ne organizojmë turne kualifikues, që u japin shanse të rinjve, por edhe organizime të tjera si Conference League dhe Euro 2025 për U17-ën, që i janë besuar Shqipërisë”.
KANDIDAT PËR PRESIDENT? – “Unë sapo jam zgjedhur zv. President dhe kam marrë angazhimin për të plotësuar pritshmëritë e atyre që më kanë zgjedhur. Do të jem shumë i kënaqur të bëj mirë në këtë detyrë. Është kënaqësi të jesh në atë institucion dhe të jesh shqiptar. Është një organizatë shumë e organizuar dhe e përparuar, ndaj jam shumë i kënaqur që jam aty”.
REKORDI I MESAZHEVE – “Në fakt kam marrë shumë mesazhe, nga mënyra të ndryshme dhe nuk e kam pritur që të bënte kaq shumë lajm zgjedhja ime në atë post. Në fakt shqiptarët ndihen mirë që një shqiptar zgjidhet në një post kaq të rëndësishëm dhe më urojnë edhe në rrugë për këtë”.
DËNIMI ME KUSHT PAS NDESHJES ME POLONINË – “Nëse do të ketë sërish ngjarje të tilla, atëherë do të detyrohemi të luajmë me dyer të mbyllura. Kemi marrë masat që të shmangim incidente të tilla. Nuk është vetëm dëmi ekonomik i të luajturit pa tifozë, por ato flakadanë rrezikojnë të dëmtojnë edhe njerëz të tjerë, siç ka ndodhur jo pak nëpër botë. Kemi hartuar një plan masash për të shmangur incidente të tilla, në koordinim me Policinë e Shtetit, pasi edhe përgjegjësia e saj është më e madhe. Shpresoj të kemi një ndeshje Fair Play në shkallët e stadiumit”.
GOLI I BROJËS NDAJ FULHAM – “Është një lajm shumë i mirë dhe më vjen shumë mirë që ai është rikthyer të luajë, pas atij dëmtimi të rëndë”.
KËRKESAT PËR BILETA – “Për ndeshje të tilla, çdo lloj stadiumi është shumë i vogël. Interesi është shumë i madh, por ata 22 mijë që do të jenë aty, do të mbështesin maksimalisht kombëtaren. Kemi një ndeshje shumë të vështirë, përballë një kundërshtari të fortë, por edhe ne jemi shumë të forte”.
REZERVIMI I BILETAVE PËR NË EUROPIAN – “Ne në një lloj mënyre e kemi prerë biletën, pasi kemi bërë prenotimet në hotelet në të gjithë qytetet e mundshme ku do të ketë ndeshje. Kemi edhe tre finale, ndaj shpresoj që ta arrijmë edhe në fushë, duke dhënë maksimumin”.
MESAZHI PËR EKIPIN PARA NDESHJES ME ÇEKINË – “Unë kam qenë i kënaqur me atmosferën në skuadër pas ndeshjes me Çekinë. Shkova në dhomat e zhveshjes i lumtur, pasi morëm një barazim të rëndësishëm, por nuk i gjeta duke festuar dhe më thanë që do të gëzojnë vetëm kur të sigurojnë kualifikimin. Djemtë janë të gjithë shumë profesionistë dhe në Çeki nuk shkohet për të festuar me një barazim. Kundërshtari është i fortë, për t’u respektuar, por jo për t’u pasur frikë. Do të japim maksimumin dhe shpresoj të marrim maksimumin, Është një ndeshje që ka tre rezultate brenda”. /FSHF