Zakonisht, ata nuk kanë asnjë njohje me shënjestrën. Në fillim lidhin një kontratë të pashkruar me një ndërmjetës. Rrallë ndodh që kontrata të lidhet direkt me porositësin.
Më pas një parapagesë me premtimin se shuma do të plotësohet pasi plani të jetë realizuar me sukses. Në këtë rast, vrasja.
Shuma e parave është në varësi të rëndësisë së objektivit por edhe në varësi të vrasësit të kontraktuar, sa specialist është ai.
Kur ai nis të veprojë, me vete ka një hajmali si fatsjellës, një foto të personit që do të eleminojë dhe adresën e tij. Pas ndjekies, që në ndonjë rast edhe mund të zgjasë, killeri piketon vendin dhe zgjedh orarin se kur do të realizojë vrasjen. Mjetet ai i zgjedh vetë. Mjafton të realizojë një “punë të pastër”. Koha ka treguar se vitet e fundit “punë të pastra” janë kryer shumë.
Tashmë vrasësit me pagësë në Shqipëri nuk janë më të rrallë.
Të paktën sipas një raporti të SHISH numri i tyre jo vetëm që është rritur por mënyrat e ekzekutimeve sa vijnë e bëhen më të sofistikuara. Ata veprojnë shpejt dhe pa lënë prova nga pas. Në rastin më të mirë, në skenën e krimit Policisë i mbeten disa gëzhoja për të numëruar e në raste të tjera as gëzhoja nuk ka, vetëm predha në trupin e viktimës. Por edhe një predhë konsiderohet provë, për aq kohë sa në vrasjet me eksploziv, që nuk kanë qenë të rralla, shpërthimi zhduk gjithçka.
Por vetë origjina e termit “vrasës me pagesë”, “assassin” është nga Irani. Historia e vrasësve me pagesë fillon në fund të shekullit të XI. “Assassin”, që është një fjalë arabike, ka kuptimin e vrasësit me pagesë dhe i tillë konsiderohet dikush që vret me dashje një person, veçanërisht një profesionist që vret një figurë publike ose politike. Konsiderohet çdo vrasës i pamëshirshëm.
Vrasja me pagesë është krimi më i shpeshtë, gjihmonë rritje, që nga fillimi i shekullit 21. Këtë e kanë argumentuar studiues të ndryshëm në mbarë bvotën. Ata kanë raportuar një rritje të këtij krimi në Shtetet e Bashkuara dhe Britainë e Madhe, duke filluar rreth viteve 1960, si dhe në Rusi rreth viteve 1990.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri. Nga viti 1998 e deri më sot numërohen pesë kategori vrasësish me pagesë: Fillestarë, diletantë, ekskluzivë, me përvojë dhe profesionistë.
Sipas fjalorit të Oksfordit, vrasës me pagesë përcaktohet “ai i cili paguhet për të vrarë dikë për qëllime përfitimi, sidomos ekonomik dhe politik”. Ndërsa sipas një studimi të vitit 2014 të MacIntyre, Wilson, Yardley dhe Brolan “vrasës me pagesë është personi që pranon të vrasë dikë për llogari të dikujt, i cili nuk është i njohur publikisht si institucion shtetëror ose agjenci që vepron në emër të shtetit”.
Autorët e këtij studimi kanë përcaktuar katër kategori vrasësish me pagesë:
- Vrasës fillestarë. Në këtë kategori bëjnë pjesë ata vrasës që kryejnë një krim për herë të parë dhe nuk kanë përvojë.
- Vrasës amatorë. Ky, në ndryshim nga i pari, ka njëfarë përvoje, por nuk ka një profil kriminal. Pra, përveç vrasjeve me pagesë nuk ka kryer tjetër veprimtari kriminale. Për rrjedhojë, kjo kategori vrasësish ka lidhje të kufizuara me botën e krimit, gjë që ia vështirëson shtënien në dorë të armëve dhe eksplozivit. Amatorët pranojnë kontrata për të mbuluar problemet e tyre financiare, por nuk e kanë vrasjen me pagesë profesion të parë. Vrasësit amatorë në përgjithësi kryejnë një ose dy vrasje me pagesë. Ata mund t’i kryejnë këto vrasje edhe për të rritur reputacionin e tyre në botën e krimit. Në ndryshim nga “profesionistët”, amatorët nuk e kanë vrasjen me pagesë mjet pune, por e bëjnë atë për një çështje specifike.
- Vrasës me përvojë. Në këtë kategori bëjnë pjesë vrasës që nuk shquhen për ndonjë aftësi të rrallë, por që kanë një përvojë të gjerë vrasjesh. Ata njihen dhe kanë lidhje me botën e krimit. Zotërojnë burime të mjaftueshme armësh dhe eksplozivësh. Policia mund t’i zbulojë duke përdorur burime lokale në zonat ku banojnë. Forma e vetme e jetesës është thjesht nëpërmjet veprimtarisë kriminale, dhe vrasja me pagesë nuk është e vetmja veprimtari e tyre.
- Vrasës profesionistë (specialistë). Në këtë kategori bëjnë pjesë në përgjithësi individë me një karrierë ushtarake në forcat speciale apo në forcat e policisë. Kjo kategori është kontingjenti më i vështirë për t’u zbuluar, pasi nuk kanë lidhje me zonën ku kryejnë krimin. Janë gjithmonë në lëvizje dhe janë shumë të aftë të fshehin gjurmët. Vrasësi profesionist e konsideron vrasjen si profesion dhe si mjet pune. Ata zakonisht janë anëtarë të një organizate kriminale ose veprojnë te vetmuar.
Sipas një raporti të Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2021, organizimi i atentateve, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, vijojnë të kenë si shkak kryesor pazaret e prishura për shkak të aferave të drogës, gjobëvënieve apo hakmarrje e hasmëri të vjetra. Kjo nxit grupet kriminale apo individët të jenë vazhdimisht të përfshirë në konflikte dhe eliminime fizike ndërmjet tyre. Kryerja e atentateve është zhvendosur në zona ku objektivi i tyre nuk ka aktivitet kriminal, kjo duke bashkëpunuar edhe me grupe të treta kriminale, të cilat nuk janë pjesë e konfliktit, por angazhohen në dhënien e informacionit të nevojshëm për organizimin e atentatit. Vrasësit me pagesë, të cilët përgjithësisht janë persona që nuk kanë lidhje apo konflikte me viktimat, përdoren shpesh për arsye të mosdekonspirimit, të njohjes në zonën e veprimit dhe kryerjes së atentatit.
Por si kanë evoluuar vrasësit me pagesë në vendin tonë?
Policia shqiptare në historinë e saj ka identifikuar e arrestuar dhjetëra persona si vrasës me pagesë. Autorë me karakteristika të vrasësve me pagesë mund të ketë pasur shumë me herët, por për Policinë historiku i këtyre vrasësve nis në vitin 1998. I pari që u identifikua nga autoritetet si vrasës me pagesë ishte Dritan Rexhepi. E pas tij ishin vrasësit me pagesë që përdori “Banda e Durrësit” e po ashtu edhe “Banda e Lushnjës”. Por vitet e fundit, për të larë hesapet, u kontraktuan edhe vrasës të huaj. Të tillë ishin italiani i Camorra-s, Salvatore Lettizia apo ish-komando grek, Eftimiu Eftimiu. E sa më shumë sofistikohet krimi, aq më të sofistikuar bëhen edhe vrasësit. Këtë e dëshmoi Julian Sinani, një killer profesinist, gjakftohtë që kishte realizuar të paktën 28 vrasje brenda dhe jashtë vendit. Së fundmi kanë dalë në skenë edhe të rinjtë që po rekrutohen për të kryer vrasje me pagesë që në disa raste kanë dështuar e në disa raste të tjera kanë ngatërruar objektiv.
Dritan Rexhepi
I dënuar për vrasjen e dy policëve në vitin 1998
Dritan Rexhepi sot është 43 vjeç dhe ndodhet në Ekuador. Deri në vitin 2014 kur u arrestua atje për trafik kokaine, Dritani ishte në top listën e 10 më të kërkuarve nga Interpol Tirana. Një personazh i njohur jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga ajo italiane, belge, holandeze e spanjolle, ku Dritan Rexhepi ka shënuar disa rekorde sa i përket ngjarjeve kriminale.
Në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Në këtë kohë ai u konsiderua nga Policia shqiptare si vrasësi i parë me pagesë.
Mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës. Policia vendase u trondit nga mënyra se si kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”.
Pas arrestimit, Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011, ai u arratis nga burgu, bashkë me një tjetër të dënuar. Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve.
Në vitin 2008, ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi kishte marrë makinën e një të moshuare dhe ishte zhdukur, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri. Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez, në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e Policisë, që i lanë derën hapur.
Në qershor të vitit 2014, me identitet tjetër dhe pamje të ndryshuar Dritan Rexhepi mbeti për më shumë se një muaj i paidentifikuar teksa qendronte në qeli. Superoperacionin i Policisë në Quito të Ekuadorit, ku edhe u kapën 278 kilogramëve kokainë, prangosi edhe vlonjatin.
Ishin gjurmët e gishtave ato që zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërishtDritan Rexhepi, nga Vlora, në atë kohë 34 vjeç.
Emri itij doli në skenë edhe në vitin 2020, në kohën kur Jan Prenga u mor peng më 17 janar të atij viti në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në një resort në Shijak, ku u torturua për vdekje dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Sipas SPAK, pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj për shkak se vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, në Angli, që ishte trafikuar nga Ekuadori në Angli.
Prokuroria e Posaçme bëri me dije se Dritan Rexhepi, në fund të muajit dhjetor 2019 urdhëroi rrëmbimin e viktimës Jan Prenga.
Dritan Rexhepi ishte vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri, në vitin 1998. Që prej atij momenti, Rexhepi nuk u ndal dhe vazhdoi rrugën duke u bërë kryefjalë e kronikës së zezë, jo vetëm në vendin tonë por edhe në mediat e huaja.
Dritan Shuaipi
Vrasësi me pagesë që u ekzekutua në Berat nga Policia
Një njeri hije, që konsiderohej një vrasës i rrezikshëm me pagesë nga Policia, por fizikisht i panjohur, dyshohej se kishte realizuar disa vrasje mes Beratit, Fierit e Vlorës. Ky ishte Dritan Shuaipi, i njohur edhe si Dritan Zhuka.
Dritan Shuaipi i është bashkuar grupit të Ilir Jaupit në vitin 1997 dhe akuzohej për vrasjen e Ilir Ngresit e plagosjen Aglin Koxhajt në Athinë. Bashkë me grupin e Jaupëve, Shuaipi prej vitesh kishte vepruar në Berat, Fier e Vlorë, kohë kur kanë ndodhur dy vrasje.
Dëshmia e Ilir Ngresit i kishte kushtuar 25 vite burg Lulzim Cakës, për sulmin me armë që ai kreu ndaj një postblloku policie në Berat, ku ishte rrezikuar edhe jeta e Ngresit. Lul Caka nuk do ia falte kurrë këtë dëshmorit të Policisë, Ilir Ngresi. Ai kishte dëshmuar se fytyrën e Lulzim Cakës nuk do ta harronte kurrë, por nuk arriti ta shihte dot pas hekurave. Komisari i Vlorës, i cili kishte hapur dosjet e frikshme të Beratit u vra në qytetin e tij të lindjes, pas kërcënimeve të shumta që kishte marrë nga miku i ngushtë i Lul Cakës, Kastriot Jaupaj. Ai organizoi vrasjen e Ilir Ngresit mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2000.
Një breshëri automatiku rrëzoi në tokë Ilir Ngresin. Kërcënimet për të kishin nisur që prej dat 12 nëntor të vitit 1997, kur Ilir Jaupi mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Më pas ai ndërroi jetë në spital. Në atë kohë, Ilir Ngresi mbante detyrën e shefit të Policisë Kriminale të Beratit dhe familja Jaupi drejtoi gishtin në adresë të tij e çdo shefi që kishte qenë në aksion, duke nisur kërcënimet.
Edhe pse muaj pas muaji kërcënimet sa vinin e bëheshin më serioze, Ilir Ngesi u braktis nga autoritetet, megjithëse kuptohej qartë se miku i Lul Cakës nuk do të dorëzohej deri në vrasjen e tij. Ngresi u transferua në Delvinë, ku po ashtu Kastriot Jaupi iu vu pas për ta eleminuar. Në këtë kohë Jaupi kishte Dritan Shuaipi për zgjidhjen e këtyre punëve.
Kur Ilir Ngresi ndodhej në Vlorë, ku kishte shkuar pranë familjes për të pritur ndërrimin e viteve, reksa pinte kafe poshtë shtëpisë, atje shfaqet Kastriot Jaupi e Dritan Shuaipi. Iu afruan Ngresit pas shpine. Kastriot Jaupaj qëndronte në cep të lokalit, ndërsa Dritan Shuaipi iu afrua pas krahëve dhe e qëlloi për vdekje.
Dritan Shuaipi, i njohur edhe si Dritan Zhuka, është vrarë rreth orës 01:00 të datës 2 nëntor 2001, gjatë një përpjekje me forcat e policisë së Beratit dhe ato RENEA për ta arrestuar.
Zhuka është rrethuar në një banesë në qytet dhe i është përgjigjur me armë forcave të policisë. Policia më pas ka hapur zjarr ndaj tij duke e lënë të vrarë në vend.
Vrasësit e bandës së Durrësit
I penduari Adriatik Coli zbërtheu në gjyq vrasjet
Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Ndërsa ishte përgjegjëse e një sërë vrasjesh të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim. Si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht, në zonën e plazhit. Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Endrit Dokles, akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Endrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, shtetasin Ilir Koldashi.
Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë, si shtetasit Elvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi dhe Alban Neli. Apo edhe Adriatik Coli që më pas u kthye në të penduar të drejtësisë dhe rrëfeu gjithçka.
Disa nga vrasjet me pagesë që janë realizuar për llogari të kësaj bande, datojnë në vitin1998 dhe i pari që është përdorur për realizimin e tyre ka qenë Elvin Hoxhosmani.
Vrasësit e bandës së Lushnjës
Grupi u zbërthye nga i penduari, tregoi të gjitha krimet
Në datën 5 maj 2002, policia arrestoi të pandehurin Dritan Vila, i cili ishte një killer me pagesë. Vila futet në burg, ndërkohë që grupit i duhej një tjetër person, që të kryente vrasjet. Kështu, Aldo Bare urdhëron zëvendësimin e Dritan Vilës. Pas arrestimit të tij, organet e drejtësisë i faturuan Vilës 4 vrasje që dyshohej t’i kishte kryer me pagesë.
Për herë në parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i penduari i drejtësisë Petrit Lici, rrëfeu me detaje për ngjarjen e tmerrshme të bandës së Lushnjës, të drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare.
Zbardhja e krimeve që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e bandës së Lushnjës ndoshta nuk do të kishte qenë e mundur nëse Petrit Liçi, njëri nga të akuzuarit, nuk do të “tradhtonte” ish-bashkëpunëtorët e tij. I pandehuri si pjesëmarrës në disa prej krimeve të kryera nga banda, pranoi të bashkëpunonte me policinë dhe Prokurorinë pasi ra në pranga dhe u mor i pandehur për një sërë veprash penale.
Dëshmitë e marra prej tij shërbyen jo vetëm për zbardhjen e krimeve për edhe për orientimin e hetimit në drejtim të identifikimit të provave e dëshmitarëve që hodhën dritë mbi një sërë episodesh kriminale të ndodhura në Lushnjë.
Petrit Liçi, një nga të parët persona nga rradhët e organizatave kriminale që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, u gjykua dhe u dënua së bashku me ish-miqtë e tij Dritan Vila, Maksim Çela, Erion Cici, Petrit Lici, Leonard Prifti (i vdekur), Erion Kashari, Elton Mermali, Enver Dondollaku.
Bashkëngjitur dëshmive dhe provave të tjera të mbledhura gjatë hetimeve, Prokuroria kërkoi gjatë gjykimit edhe dëshmitë e Petrit Liçit të cilat shërbyen për bindjen e gjykatës në drejtim të fajësisë së personave të pandehur. I dënuari si anëtar i bandës së Lushnjës, përfitoi edhe masat mbrojtëse të sigurisë pasi deklarimet e dhëna prej tij përbënin rrezikshmëri të lartë nisur edhe nga grupi kriminal pjesë e të cilit ai kishte qenë.
Nga të dhënat e marra, në seancë gjyqësore dhe gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se asnjë prej të pandehurve, nuk ka pasur konflikte me viktimat e qytetit të Lushnjës. Edhe dëshmitarët e paraqitur në seanca të shumta, janë shprehur se kanë qenë shokë me të pandehurit dhe nuk kanë konflikt me ta. Për organin e Prokurorisë, del e provuar se të gjithë të pandehurit kanë kryer vrasje, vetëm për të zbatuar urdhërat që merrnin, në këmbim të një pagese, në disa raste edhe qesharake.
Julian Sinani
Vrasësi profesionist i specializuar nga rusët
Mes vrasësve të zbuluar nga drejtësia shqiptare, një do të mbahet mend gjatë. Jo vetëm vetëm se ka kryer më shumë vrasje, në Shqipëri e Greqi, por më tepër nga mënyra se si vepronte. “Mos fol me askënd për asgjë sepse do të të vrasin!“ Kështu shkruante në hyrje të ditarit të tij, killeri Julian Sinanaj. Ai njihet si një nga killerat më profesionistë që ka operuar në Shqipëri dhe në Greqi.
“Karrierën” si vrasës profesionist Sinanaj e nisi në Greqi, aty ku ishte zhvendosur me familjen. Pasi prindërit e tij u ndanë, kur ai ishte adoleshent, Julian Sinanaj gjeti mbështetje nga rusët dhe u bë nxënësi i tyre perfekt.
Me premtimin se do ta bëntë vrasësin më të mirë me pagesë, instruktori i tij rus e merr në patronazh dhe fillon me zbërthimin e karakterit të tij. Ai kishte gjetur tek Julian Sinanaj një që person që mund të ishte vrasës gjakftohtë, inteligjent dhe i pavarur. Ashtu sikurse rezultoi.
Sinanaj u përgatit për të përdorur në mënyrë perfekte armët. Ishte i aftë të qëllonte me të dyja duart dhe me të njëjtin precizion, gjithashtu ishte i shpejtë në mbërthimin dhe në zbërthimin e armëve, duke shtuar edhe njohuritë që kishte për ndërtimin e tyre.
Pas trajnimit, i ashtuquajturi “ujku i vetmuar” për 15 vite “punë” në Athinë, Pire dhe Selanik ka kryer më shumë se 20 vrasje. Më pas kur ndjeu se jetën e kishte të rrezikuar nga ata që kishin qënë klientët e tij vendosi që të lëvizte sërish. U kthye në Shqipëri dhe gjeti “strehë” në Vlorë, ku edhe do të riniste karrierën e tij.
I panjohur ende në Shqipëri, por me metodën e tij të sofistikuar për të eliminuar shpejt, pa gjurmë dhe me gjakftohtësi, Sinanajt i shkoi emri aty ku duhej. Por në një moment, kur ai e kishte ulur vigjilencën, u prangos. Ashtu si për shumë vrasës e drejtues bandash, edhe për Julian Sinanajt u përdor si grackë e dashura e tij. E mesa duket kjo ishte e vetmja pikë e tij e dobët.
Ajo u thye dhe tregoi në Polici vendbanimin e tij. Aty efektivët gjetën çdo lloj arme, mina, triol etj, por edhe një ditar me 20 faqe. Aty ishin shënuar të dhënat për të gjithë viktimat e tij. Emri, ora e saktë e vdekjes, mënyra e eliminimit dhe fotoja e tyre.
Ndriçim Gjokona u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë që prej janarit të vitit 2014.
Ai u pendua bashkë me Julian Sinanaj, që u arrestua menjëherë pas tij, pasi u gjurmua nga policia pas dëshmisë së Gjokonës. Gjokona e kallëzoi nga frika se mos e eliminonte. Të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.
Dy të penduarit e drejtësisë, ishin krahu i armatosur i një grupi kriminal prej 7 anëtarësh, që u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasje me pagesë, vepra për qëllime terroriste, prodhim dhe shitje të lëndësh plasëse dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Shtatë të pandehurit u akuzuan për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet me tritol kundër zyrtarëve Ardian Kollozi dhe Besnik Dervishaj, si dhe planifikimin e eliminimeve për dy ndërtues nga Vlora dhe për biznesmenin e gazit në Tiranë, Pirro Bare.
Nëpërmjet dëshmive të tyre përpara prokurorëve, dy të penduarit, Sinanaj dhe Gjokona, i kanë servirur Prokurorisë të dhëna mbi nëntokën e krimit në qytetin e Vlorës dhe konvertimin në biznesmenë të disa njerëzve me të kaluar të errët në këtë qytet.
Ata treguan gjithashtu luftën e përgjakshme të konkurrentëve në këto biznese dhe kërcënimet e tyre ndaj zyrtarëve lokalë, në rastet ku ata zvarrisnin apo nuk aprovojnë kërkesat për leje ndërtimi.
Për shkak të statusit si dëshmitar i drejtësisë, Sinanaj i shpëtoi burgimit të përjetshëm.
Nuredin Dumani
Tregoi vrasjet e kryera dhe porositë e parealizuara
“Killeri” që u arrestua në mars të vitit 2022 në Fier, Nuredin Dumani, u kthye menjëherë në të penduar. Bashkë me të arrestuarin tjetër, Henrik Hoxha, ai rrëfeu krime të kryera e të tjera të porositura por që nuk ishin realizuar.
Mbrëmjen e datës 29 mars të vitit 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar operacioni policor i koduar “Arratia”, gjatë të cilit u arrit të arrestohet një prej personave më të kërkuar, i dyshuar për disa vrasje.
Rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, u bë lokalizimi dhe kapja e shtetasit Nuredin Dumani. Arrestimi i tij u konsiderua një sukses i madh për Policinë, pasi përveçse ai ishte një prej më të kërkuarve, u kthye edhe në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Falë dëshmisë së tij, në maj të vitit të kaluar u realizua operacioni tjetër, i koduar “Plumbi i artë”, i cili nxori në skenë shumë emra të botës së krimit. Vrasje të kryera me porosi e të tjera që nuk ishin realizuar.
Mes emrave që përmendi Nuredin Dumani ishin edhe Ervis Martinaj e Endrit Dokle. I pari si autor i dyshuar dhe që rezulton i shpallur në kërkim pikërisht prej rrëfimit të Dumanit dhe i dyti si palë e dëmtuar.
Pas veprimeve intensive hetimore të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Elbasanit, si dhe në bazë të informacioneve të mara nga burime të ndryshme, u krijuan dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e shumë personave të tjerë, në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.
Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme, Policia organizoi operacionin, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.
Operacioni u shtri në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. U ekzekutuan 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa burgje, sepse të dyshuarit ishin arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.
Shumë të tjerë u shpallën në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj. Ndër të tjera, në rrefimin e tij para prokurorëve të SPAK, Nuredin Dumani tha se një zarf i bardhë kishte shkuar në dorën e tij nga Ervis Martinaj.
Martinaj i kishte lënë dorë të lirë që të kërkonte sa para të donte për të kryer ekzekutimin e Endrit Dokles.
Dumani thotë: “I mora paratë, por nuk doja ta vrisja Doklen”.
Më pas hyn në skenë bashkëpunërori tjetër i drejtësië, Henrik Hoxhaj. Ai ka treguar se Nuredin Dumani i kishte dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Endrit Dokle.
Kjo kishte ndodhur para një viti kur ai bisedonte shpesh me Nuredinin. Në një nga këto biseda që kryenin në telefon ai i ka kërkuar që të gjente ku ishte Endrit Dokle dhe duhej të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500 mijë euro.
I penduari ka treguar se e ka parë Doklen duke lëvizur me një makinë të blinduar pranë Liqenit Artificial. Sipas tij ai nuk ishte një objektiv i lehtë.
Megjithatë ka treguar se nuk ka kryer asnjë veprim kundër tij, duke qenë se nga bisedat në telefon me Nuredin Dumanin kjo porosi kishte mbetur pezull.
Salvatore Lettizia
Italiani i Camorra-s, u përfshi në Tiranë në vrasje të trefishtë
Më 27 maj të vitit 2015, tre persona mbetën të vrarë gjatë një përplasje me armë zjarri që ndodhi shumë afër qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin shtetasit, Mentor Lufi, 39 vjeç, shoku i tij, Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili ishte njëri prej atentatorëve. Burimet thanë në atë kohë se objekti i këtij atentati ishte shtetasi Mentor Lufi. Policia ndaloi 3 persona, dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian Salvatore Lettizia, i konsideruar si vrasës me pagesë, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.
Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, rezultoi se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm penal kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Mentor Lufi së bashku Gerti Goxhaj kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Tuareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMW” me targa AA 001 IK si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë Gerti Goxhaj. Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg” me targa AA 097 KE, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMW” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve që udhëtonin në këtë makinë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Lettizia e më pas edhe Besnik Sulkun, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij.
Kristi Pine
Killeri që merrte urdhra nga “shefi” i tij në burg
Ndodh që burgu të shërbejë për riedukimin e një të dënuari, që pasi del betohet që për asgjë në botë nuk do të kthehet më aty. Por mund të ndodh edhe e kundërta. Qelinë mund ta ndash me ndonjë të dënuar që jashtë ka hesape ende të pa mbullura. E këtu nis rekrutimi për t’u bërë vrasës.
Kjo i ndodhi 31-vjeçarit Kristi Pine në vitin 2014. Ai ishte vetëm 18 vjeç kur u arrestua për herë të parë me akuzën e vjedhjes. Por në burgun e Bradasheshit i qëlloi të ndante qelinë me një të dënuar me burgim të përjetshëm, Admir Tafilin.
Fillimisht duke e mbajur afër, duke mos i lejuar të dënuarit e tjerë që t’i binin në qafë, Admir Tafili e bëri Kristi Pinen që të ndjehej në borxh me të. Madje aq shumë në borxh, sa për t’i kthyer nderin që i bëri në burg, të kryente edhe vrasje pasi fitoi lirinë.
Këtë vrasje, Kristi Pine e ka kryer në Shkodër. Pasi u kthye në të penduar, Pine tregoi se ka ekzekutuar në oborrin e shtëpisë së tij, shtetasin Ibrahim Mani.
Këtë vrasje, Pine e ka kryer më 25 qershor 2014 dhe në bazë të deklarimeve ia kishte kërkuar Tafilaj ta kryente për llogari të një familje me të cilët Mani kishte hasmëri. Sipas prokurorisë, në rastin e Ibrahim Manit, dyshohet se Admir Tafilaj ka përfituar një shumë të konsiderushme parash për të kryer ekzekutimin.
Pas vrasjes në Shkodër, që Pine pranon se ka qenë e para në jetën e tij, atij i është kërkuar nga bashkë i pandehuri tjetër Alfred Qefalia të vrasë shtetasin Edmond Çakmashin në Shkozë të Tiranës.
Për këtë vrasje, Pine thotë se ishte në dijeni edhe Admir Tafili nga burgu, i cili ka insistuar të kryent vrasjen dhe do merrte shumën prej 15 mijë eurove.
Mbrëmjen e datës 3 shtator të 2014 Pine është afruar pranë makinës së parkuar brenda të cilës ndodhej Edmond Çakmashi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij.
Pine i ka thënë prokurorisë se nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste. Për këtë fakt, ai ka kërkuar shumën prej 7500 euro por që nuk i është dhënë.
Në shtator 2017, grupi i Tafilit mori dënime të rënda nga gjykata, ndërsa i penduari i drejtësisë, Kristi Pine i shpëtoi burgimit të përjetshëm dhe trupi gjykues vendosi të lërë atë pas hekurave për 10 vite.
Elvis Bardhi
Vrasësi që denoncoi Çapjat e u kthye në të penduar
Një përplasje e ashpër që nisi 18 vite më parë në qytetin e Elbasanit, me futjen në lojë edhe te killerave me pagesë, atëherë kur Ardian Çapja administronte bizneset e familjes bashkë me të vëllain, Sokolin.
Por vrasja e Sokol Çapjas solli dhjetëra përplasje me armë, viktima e të plagosur, që e kthyen Elbasanin në një arenë lufte. Në fillim duke eleminuar ata që i kishin pajtuar për të mbyllur hesapet e tyre e më pas duke përfunduar vetë në shënjestër.
Ndërsa tani, duket se historia e Ardian Çapjas e familjes së tij po merr fund pikërisht nga një prej atyre që paguan për t’u hakmarrë ndaj atyre vrasësve që nisën këtë betejë të përgjakshme.
Ervis Bardhi, një djalë që në vitin 2012 lidhi një “kontratë” të për vrarë vrasësin e Sokol Çapjas, tashmë është kthyer në të penduar. Ai vetë u identifikua nga një gjurmë gishti, në targën e makinës së djegur që u përdor për vrasjen. Në fillim ishte në kërkim. Më pas u dorëzua për të treguar gjiçka që dinte.
Kevin Zeneli
Autorët ngatërrojnë objektiv, qëllojnë një të pafajshëm
Pasditen e 4 janarit 2022, 35-vjeçari Erion Çela po pinte kafe me vëllain e tij dhe disa të afërm, kur breshëritë e kallashnikovit e lanë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi në një lokal në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë.
Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç. Personat e tjerë të plagosur ishin Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç.
Pasi kanë qëlluar, atentatorët, janë larguar me një makinë tip Mercedes Benz me targa AA 125 UK. Kur kaluan 9 muaj nga ajo ngjarje, Policia e Tiranës njoftoi se Erion Çela nuk kishte bërë asnjë faj dhe se autorët kishin ngatërruar objektiv duke qëlluar ndaj disa personave që nuk kishin lidhje me problemet e tyre.
Pas një aksioni të madh që çoi në arrestimin e 14 personave, Policia tha se dy prej tyre, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirian Feçi, për llogari të shtetasit Kasandër Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës.
Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Ata kishin planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi kishin informacione se personi që do të eleminonin frekuentonte një lokal në atë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit Gentian dhe Indrit Beqiraj nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje. Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë u vra Erion Çela.
Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi Kevin Zeneli, i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, Indrit dhe Gentian Beqiraj për t’u larguar jashtë shtetit.
Vëllezërit Beqiraj kanë rrëfyer për hetuesit se vrasja e Çelës ka ardhur pasi drejtuesit e grupit kriminal ku ata bëjnë pjesë, kishin dhënë urdhër për ekzekutimin e vëllait të Erion Hasanbelliut, Geronit. Sipas tyre porosia e vrasjes është dhënë nga Kasandër Noga. Ky i fundit është në hasmëri prej vitesh me Erion Hasanbelliun. Në qershor të vitit 2022, Kasandër Noga u arrestua në Vjenë, pasi akuzohej për atentatin ndaj armikut të tij të Erion Hasanbelliut po në këtë muaj në Bruksel. Noga i bëri atentat Erion Hasanbelliut në Belgjikë, me të cilin ishte në hasmëri prej 20 vitesh, pasi i kishte vrarë të atin. Pak kohë më vonë Hasanbelliu me të vëllanë e tij, i bënë atentat Nogës në Belgjikë ku mbeti i vrarë miku i tij Julian Çela.
Në sirtarët e Prokurorisë e Policisë vijojnë të mbeten pa autor dhjetëra dosje vrasjesh të ndodhura ndër vite. Për pjesën më të madhe tyre, hetuesit kanë bindjen se janë kryer nga vrasës me pagesë.
Herë pas here organi i akuzës i ka kërkuar Policisë që t’u rikthehet për t’i plotësuar me prova, por rezultati ka qenë i njëjtë. Dosje vrasjesh janë mbyllur e rihapahur për t’u hetuar sërish, e megjithatë enigma vijon prej vitesh. Për disa që nga ’97-a.
E teksa për ato ngjarje shpresat për zbardhjen e tyre thuajse janë shuar, për vrasjet që kanë ndodhur vitet e fundit dhe që Policia ka bindjen se janë kryer nga killera me pagesë, hetimet herë pas here kthehen në pikën zero, me shpresën që dikush të kthehet në të penduar.
Të paktën kështu ka rezultuar në disa prej ngjarjeve të fundit. Por duket se për aq kohë sa “të paprekshmit” e botës së krimit, do të kenë hesape për të mbyllur, e rivalë për të hequr qafe, kontrata vdekjeje me vrasës me pagesë do të ketë sërish.
Ndoshta rrëfimet e vrasësve të penduar do t’i shërbejnë Policisë për të identifikuar vrasës të tjerë, ose së paku për të zbardhur krime që mund të ndodhin në të ardhmen. Asnjë krim nuk është perfekt. Edhe vrasësi më profesionist e ka një pikë të dobët. Ndodh që edhe ai gabon./abcnews.al