Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se bujqësia vazhdon të ecë me hapa pozitivë pavarësisht sfidave me të cilat është përballur ky sektor që nga 2019-ta me tërmetin, më pas me pandeminë dhe më pas me vitin që lamë pas, nga kriza që preku të gjithë botën për shkak të luftës në Ukrainë.
E ftuar në emisionin “Bardh a Zi” bashkë rektorin e UBT-së Fatbardh Sallaku, ministrja u ndal edhe tek certifikimi i produkteve shqiptare. Ministrja theksoi se është punuar me një komision të posaçëm për të certifikuar produktet në mënyrë që kur Shqipëria të hyjë në BE të shkojë me identitetin e saj tradicional.
“E përmenda procesin e integrimit se ne kur të hyjmë në Evropë do të shkojmë me identitetin tonë tradicional. Ajo që po bëjmë po i ruajmë dhe certifikojmë këto produkte pas një pune shumë të gjatë hulumtuese dhe dokumentuese se pse këto produkte janë shqiptare dhe çfarë përfaqësojnë dhe sigurinë që kanë.
Kemi certifikuar djathin Mishavina, të Kelmendit, djathin e ziem të Malësisë së Madhe, djathin e dhive në Dibër. Kemi mjaltin e Bedunicës së Përmetit. Kjo garanton një markë, vulë e miratuar dhe etiketë nga ky proces që vendoset në kavanoz dhe tregon se është specialitet tradicional i garantuar.
Arsyeja që po e bëjmë këtë është për t’i shtuar vlerën produkteve të fermerëve tanë. Këto katër produkte kanë tashmë vulën e garancisë të certifikuar nga AKU dhe një komision i ngritur për këtë. Kur të shkojmë në Evropë do të shkojmë me këto specialitete tradicionale që nuk mund të na i marrin.”, tha ajo./abcnews.al