Nga derbi, te “gunga” Teuta: Çfarë rruge kishte përshkruar Tirana e Egbo

schedule18:18 - 16 Qershor, 2020

schedule 18:18 - 16 Qershor, 2020

Skuadra e Tiranës pësoi ditën e djeshme në “Niko Dovona” një humbje që rihapi kampionatin. Të besuarit e Emanuel Egbo u mposhtën me rezultatin 1-0 nga Teuta, por ende ruajnë vendin e parë me gjashtë pikë diferencë nga Kukësi i vendit të dytë.

Përpos disfatës së djeshme, trajneri nigerian kishte një ecuri që do ta kishte zili çdo trajner në Europë. Egbo e mori drejtimin e klubit kryeqytetas në dhjetorin e vitit të kaluar dhe ndeshja e parë për të ishte derbi me Partizanin.

Tirana e asaj kohe pozicionohej në vendin e 8 në renditje, me vetëm 19 pikë. Egbo ishte me fat që në fillim, pasi arriti fitoren 2-1 në derbi, fitore që mungonte prej më shumë se pesë vitesh. Më pas erdhën triumfet radhazi me Flamurtarin, Laçin, Bylisin, Luftëtarin, Teutën dhe Vllazninë, teksa Tirana shënonte shumë dhe pësonte pak.

 

Ndalesa e parë e bardhebluve u regjsitrua me 15 shkurt dhe ishte Skënderbeu skuadra që u mori një pikë falë barazimit 1-1 në “Air Albania Stadium”. Më pas erdhën tre fitore radhazi, ku spikat “manita” e famshme kundër Partizanit. Kështu Tirana fluturoi në vendin e parë, duke synuar titullin kampion në 100 vjetorin e krijimit të klubit.

Më pas kampionati u ndërpre për shkak të situatës së Coronavirusit, për të rifilluar sërish në 3 qershor. Tirana nuk e kishte harruar se si fitohej dhe kaloi pa problem Bylisin në transfertë me rezultatin 1-3. Ecuria pozitive vazhdoi dhe në Gjirokastër, ku rekordmenët e Shqipërisë fituan me rezultatin 0-5.

Duhet të vinte dita e djeshme që Tirana të regjistronte humbjen e parë që nga 13 dhjetori, ku Egbo mori drejtimin e skuadrës. Tekniku ka bërë një punë të shkëlqyer, me një ekip që ka shënuar 35 gola në 15 ndeshje kampionati, ndërkohë që është ndëshkuar vetëm dhjetë herë.

Tiranës i kanë mbetur dhe 7 finale për ta finalizuar me sukses misionin për rikthimin e titullit kampion në kampin bardheblu, ndërkohë që as kjo nuk mjafton për  të sheshuar zërat që e shohin  ekipin kryeqytetas me trajner të ri sezonin e ardhshëm. /abcnews.al

 

Si ka ndryshuar renditja e Tiranës me Egbo në stol

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!