Nga CZ-ja në Prishtinë: Burgjet e Serbisë dhe mbijetesa e shqiptarëve

schedule21:15 - 20 Maj, 2020

schedule 21:15 - 20 Maj, 2020

Reportazhi i shkurtër që ka në qendër Bekim Blakaj, një nga pesë studentët shqiptarë që studionin në Beograd dhe u arrestuan nga regjimi i Milloshevicit. Të pestë u mbajtën dhe keqtrajtuan në burgun famëkeq CZ (Centralni Zatvor) të Beogradit dhe u liruan muaj të tërë pasi lufta kishte mbaruar. Bekim Blakaj drejton tani Qendrën për të Drejtën Humanitare në Prishtinë. Ai tregon përvojën e hidhur në ZV dhe si e ka përjetuar më vonë atë që ndodhi në ato qeli.

“Ka pasur shumë situata të ndryshme ku dinjiteti njerëzor vihet në pikëpyetje dhe tentohet që të thyhet ai dinjitet. Pas ndoshta pas 3 muajve, kur më ka vizituar avokati im, ma ka shtrirë dorën që të përshendetemi, dhe në atë moment, e kam kuptuar sa është ai rëndësishëm ai kontakti fizik, njerëzor, pra shtrirja e dorës.”

“Prej atyre individëve që i kanë zbatuar ato urdhëra, unë kam vërejtur qartë se disa prej tyre nuk e kanë bërë atë punë bash me vullnet të madh. Ka pasur dy-tri raste kur kam mbetur vetëm me njërin prej tyre ose tjetrin dhe ndoshta jo verbalisht, por me gjeste kanë shprehur keqardhje. Këtë duhet me e thanë, me ngritje të supeve ose dicka të tillë. Mirëpo ka pasur prej tyre individë që me plot kënaqësi e kanë kry atë punë….më kujtohet jo më shumë se një ose dy vjet pasi isha liruar nga burgu, unë kam udhëtuar shpesh në Beograd për punë për konferenca dhe gjëra të tjera dhe njëherë më ka ndodhur që  dikush më ka thirrur nga mbrapa, sigurisht jo me emër, po me zotëri, zotëri, dhe jam kthyer. Ishte një guardian I burgut, një officer i burgut, ishte malazez, që ka qenë jashtëzakonisht I drejtë me neve, I cili nuk na ka keqtrajtuar asnjëherë, as verbalisht, as në mënyra të tjera, dhe ma ka shtrirë dorën, madje me pak hezitim, duke mos ditur si do të reagoj unë. Dhe unë ia kam shtrirë dorën, më ka pyetur si jeni, I kam thënë mirë, gjithcka është kryer, dhe më kujtohet kur më ka thënë, jo në fakt, unë e di cfarë keni përjetuar ju.”

Familja e Bekimit, gruaja dhe tre fëmijët dinë pak për atë që ka përjetuar ai. Bekimi nuk dëshiron që ata të dinë më shumë dhe të ngarkohen emocionalisht me atë përvojë të hidhur që do të sillte më shumë urrejtje.